“Sa më kishe munguar ti o dashuri… Ti o vend i bekuar… Rikthim pas 5 vjetësh . Tek ty o skenë, që je dashuri e pafund e imja!” A ka dedikim më poetik se ky?! Këto janë fjalët e ndjera me të cilat ka përshkruar shfaqjen e saj dje në mbrëmje në komedinë “Komedia që shkon për dreq”, aktorja Monika Lubonja!
Pas një mungese prej 5 vitesh, për shkak të angazhimit të saj si Drejtoreshë e Teatrit të Kukullave, Monika Lubonja iu rikthye dashurisë së vjetër: skenës. Ishte vepra “Komedia që shkon për dreq” me regji të Driada Dervishit, që e riktheu atë në vendin e bekuar, siç vetë Monika quan Teatrin.
Premiera e një shfaqjeje ka magjinë e vet, dhe duket se shfaqja dhe intepretimi i saj ka goditur në shenjë! Këtë e dëshmojnë reagimet e para të ndjekësve të komedisë në teatrin “Aleksandër Moisiu”, në Durrës, ndërsa publiku i kryeqytetit do ta mirëpresë dhe jap gjykimin e tij së shpejti! Por, ajo çfarë mund të thuhet nga disa copëza të shfaqjes në rrjet është se Monika Lubonja ka qenë ‘wow’! Roli ia kërkonte një veshje seksi, ndërsa provokimi në intepretim nuk ka munguar! E në fakt kthim më të nxehtë se ky nuk mund të kishte për Monikën!
Vetë Monika është emocionuar nga ngazëllimi i publikut, dhe pritja që i është bërë në qytetin bregdetar! Ajo ndërkaq nuk e ka mbajtur suksesin për vete, por ka falenderuar në një status të veçantë regjisoren e shfaqjes Driada Dervishi!
“Faleminderit që besove tek unē. Faleminderit që pate durim me mua , Faleminderit që nē momentet e mia te vështira s’ma lëshove dorën. Faleminderit që me vullnetin tënd bëre që sot unë t’i kthehem skenës me një dashuri akoma më të madhe. FALEMINDERIT që sfiduam gjithçka bashkë. Mirënjohje Ada”, shkruan ajo në një postim në rrjetet sociale.

“Komedia që shkon për dreq” bën fjalë për një shfaqje brenda shfaqjes, ku në qendër të së cilës janë një trup akorësh amatoreskë, të cilët marrin përsipër që të sjellin një vepër teatrale shumë të rëndësishme, një kafshatë që për ta nuk mund të kapërdihet dhe aq lehtë dhe padyshim ajo përfundon në një dështim. Shfaqja do të vijojë gjatë fundjavëa dhe të hënë në qytetin e Durrësit, ndërsa biletat për të u shitën një ditë para premierës!



