KreuFashion

6 fakte interesante që nuk i dini për Bottega Veneta!

 

Arti i thurjes 

Marka e njohur e luksit Bottega Veneta është kthyer prej 60 vitesh në sinonimin e modës, duke e kthyer anën artizanale të përpunimit të lëkurës në art. Shtëpia italiane e modës, e cila po korr sukses prej dekadash në tregun botëror, spikat nga çantat ikonike prej lëkure me thurje deri te veshjet me një stil të sofistikuar. 

 

Dyqani venecian 

Marka italiane e luksit, e cila feston sivjet 60-vjetorin e krijimit, u themelua në vitin 1966 nga Michele Taddei dhe Renzo Zengiaro në Vicenza. Fillimisht ai ishte vetëm një dyqan i vogël me produkte të punuara me lëkurë artizanale, por shpejt ata u bënë të njohur për krijimet e tyre të rafinuara. Emri i markës Bottega Veneta përkthehet dyqan venecian, duke reflektuar traditën e lëkurëpunuesve venecianë. 

 

 

Thurjet 

Ndryshe nga shumë marka të tjera, Bottega Veneta krenohet me një teknikë të veçantë që ka si bazë punimin artizanal të lëkurës. Kjo metodë në fakt u zhvillua nga nevoja, pasi makinat qepëse ishin të krijuara për të qepur pëlhurë dhe jo për lëkurë. Kjo teknikë u përsos edhe më shumë duke u kthyer në një motiv, ndaj edhe sot ekzistojnë disa lloje thurjesh të cilat janë identifikuese të markës italiane. 

Marka, pa logo 

Pas suksesit qysh në dekadat e para, Bottega Veneta u ble në vitin 2001 nga Gucci duke e zgjeruar gamën e produkteve nga aksesorë, edhe në veshje, bizhuteri, mobilie dhe syze dielli. Por, ajo që duket se nuk ka ndryshuar nga dita e parë është se Bottega Veneta nuk përdor asnjë logo në produktet e saj, duke zgjedhur të përfaqësohet më shumë përmes stilit dhe elementit identifikues të thurjeve. 

Çanta ikonike 

Mes qindra modeleve të krijuara në vite, vetëm disa modele konsiderohen ikonike mes të cilave: Cabat, Veneta dhe Knot. Kjo e fundit Knot, simbolizon mjeshtërinë luksoze të markës dhe u konsiderua çanta më e shitur në Saint Tropez në vitin 2014, ndaj në 10 vitet e fundit janë rikrijuar mbi 300 versione të çantës ikonike, ku përpos formave dhe ngjyrave, ajo që nuk ndryshon është nyja e cila gjendet kudo. 

Tradita

Pseudonimi i kësaj marke është “Atelieja e Lëkurës”, për shkak të mjeshtërisë së përpiktë në krijimin e produkteve. Për të vijuar traditën veneciane, Bottega Veneta hapi në vitin 2006 një shkollë e cila mëson teknikat artizanale të lëkurëpunuesve, të cilat janë zemra edhe shpirti i markës. Klientë besnikë prej vitesh të Bottega Veneta janë: princesha Charlene, Amal Clooney, Nicole Kidman, Cameron Diaz dhe Rihanna.