KreuCelebrity

Ekskluzive/ Niada Saliasi; Unë, një orkide tekanjoze!

Ekskluzive/ Niada Saliasi;  Unë, një orkide tekanjoze!

Nga Nada Biraçi

Fotografia: Elvis Sula

Dy dekada më parë kur vendosi të studiojë në Akademinë e Arteve, një ndër vajzat më të bukura të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, e kishte të qartë se në ç’kohë e ujëra do të notonte, për t’u bërë ajo që është sot, Niada Saliasi. Ndonëse për të ngjashmet e saj, e kam fjalën për vajzat të cilat natyra i ka përkëdhelur me hijeshi që zor se vitet e zbehin, të qenit në qendër të vëmendjes shpesh duket jetike, për Niadën jo. Me t’u mbyllur perdja e teatrit apo çaku i fundit në sheshxhirimin e një filmi, aktorja e dhjetëra roleve nxiton të ‘struket’ në strehëza intime, në shtëpinë e prindërve ku gjen ngrohtësinë e gjithë botës, në një bar mes mikeshash fare të ngushta, apo në një fluturim surprizë për te gjysma e shpirtit, e motra që ndodhet në një tjetër shtet…

Niada Saliasi, rreth 20 vite më parë kur vendose të studioje në Akademinë e Arteve, çfarë kishe në mendje? Çfarë ëndërroje?

Është një shprehje që thotë: ‘Kujdes çfarë ëndërron’ dhe unë pata kujdes në atë kohë të ëndërroja këtë që jam sot. Mund ta quaj veten me fat, që bëj profesionin që dua, në institucionin më të lartë të artit në Teatrin Kombëtar.

I ngjajnë realitetit sot ëndrrat e fillimit?

Ëhë, po, janë bërë realitet me vullnet dhe këmbëngulje, sigurisht me sfidat që ka ky rrugëtim, sa i bukur edhe i vështirë.

Pasi përfundon një film a pjesë teatrale, çfarë ndodh me rolin? E zhvesh lehtësisht nga vetja, apo të ndodh të të mbeten copëza të tij?

Nëse do ta përshkruaj rrugëtimin e realizimit të një roli, do ta përshkruaja si një magji. Ti punon çdo ditë, për ta bërë sa më të besueshëm momentin vendimtar, daljen para publikut. Por publiku duhet të dijë që një aktor, qëndron ditë e natë pa gjumë, për të sjellë produktin në skenë dhe nuk ndihem mirë kur dëgjoj shpesh që thonë: ‘profesion qejfi’. Është profesion i bukur, por dhe i vështirë. Duhet po aq kohë sa punon, edhe të dalësh nga personazhi. Të paktën tek unë, kështu ndodh.

Ekskluzive/ Niada Saliasi;  Unë, një orkide tekanjoze!

I ngjan Niada roleve, apo rolet Niadës?

Mundohem gjithmonë t’i ngjaj roleve. Niadë unë jam në jetë dhe refuzoj të jem në skenë.

Çfarë të emocionon më shumë; sheshxhirimi i një filmi apo era e perdes dhe kërcitja e dërrasave së një teatri?

Aktualisht jam në një shfaqje në Teatrin Kombëtar që quhet “Biznesmen” dhe ndërkohë kam mbaruar xhirimet e një filmi, që së shpejti do të jetë premierë në kinema dhe të them të vërtetën nuk i ndaj dot, janë dy përjetime të ndryshme dhe shumë intensive, por rruga për të arritur te roli është e njëjtë, kështu që nuk i ndaj dot.

Të qenit një grua e bukur, të ka ndihmuar, penguar apo…?

Jam kujdesur të jem e bukur shpirtërisht, të jem e thjeshtë, duke besuar verbërisht që thjeshtësia është virtyti më i lartë, që duhet të karakterizojë çdo qenie njerëzore. Ka patur raste që kam menduar që bukuria është pengesë, por tani në një moshë më adulte mendoj që Zoti dhe gjenetika janë treguar bujare me mua.

Në gjithë karrierën tënde, a ka një rol që mendon se të identifikon?

Një rol ndërtohet nga eksperiencat e tua e nga hulumtimet mbi kohën, vendin, periudhën ku gjenerojnë ngjarjet, kështu që çdo rol është një ‘puzzle’ nga vetja e rrethanat.

Nëse do të zgjidhje të bëje gjithë jetën vetëm një zhanër, do të ishte komedi, dramë a tragjedi?

Çdo gjë që bëhet e zakonshme, nuk është më e bukur. Kështu e dua jetën siç është me komedinë, dramën, qoftë dhe tragjedinë. Pa ekzistuar errësira, nuk do të dinim të vlerësonim dritën dhe anasjelltas.

Së jashtmi, ne si publik na duket sikur aktorët ‘luftojnë’ egër për rolet kryesore…Ndodh vërtetë kështu në botën e aktorëve?

Po, ndodh shpesh, por një gjë është për ta marrë një rol e një gjë tjetër është për ta realizuar atë, që merr shpesh edhe me pa të drejtë.

Po tjetër çfarë ka, si është kjo botë e juaja?

E bukur, por dhe e egër.

Ka miqësi të sinqerta aty? Ti ke kolegë, të cilët i konsideron miq shpirti?

Po, kam disa që i dua vërtetë, që janë aktore të mira dhe me vlera njerëzore.

Pra, s’ka xhelozi dhe konkurrencë?

Konkurrencë ka, ka dhe xhelozi, por unë mundohem ta mbaj veten vetëm te konkurrenca, ndërsa xhelozinë ta mbaj larg.

Thuhet se një personazh publik në Shqipëri e ka pothuajse të pamundur të mbajë jetën private vetëm për vete…Por për Niada Saliasin nuk kemi dëgjuar kurrë një lajm jashtë profesionit të saj. Si ja ke dalë të jesh kaq hermetike?

Jam munduar të mos bëhem kryefjalë në kronikat rozë. E di që këto përbëjnë lajm dhe klikime, dhe duke ditur që shpesh lajmet në portale dërgohen nga vetë personazhet, kam dashur të qëndroj larg gënjeshtrës që mund t’i bëj vetvetes. Pra, unë ja dërgoj portalit informacionin, ai e nxjerr si lajm dhe unë filloj të besoj, se ata më kanë kapur mat… O Zot! (qesh).

Njësoj edhe në rrjete sociale apo aktivitete, që shpesh mbledhin emra të showbiz-it shqiptar…Niada mungon..

Zgjedhje personale. Nuk vlerësoj masën, por cilësinë.

Jo vetëm në botë, por edhe në vendin tonë personazhe të njohur janë ndërgjegjësuar për të denoncuar raste ngacmimi seksual nga eprorët. Ti je gjendur ndonjëherë përballë një realiteti të tillë?

Miklim në këtë botën tonë maskiliste kam patur, por abuzim jo për fat të mirë.

Me çështjet e zemrës, si i ka punët Niada? Është dikush aty brenda?

Zoti, familja, arti, natyra, apo po më pyesni për dashuri?

Ekskluzive/ Niada Saliasi;  Unë, një orkide tekanjoze!

Për dashuri pyesim, ti di që është një temë e bukur.

Lum kush e ka përjetuar, sepse është ndjenja më e bukur në botë.

Çfarë e bën të vështirë sot, krijimin e një marrëdhënie të gjatë dhe të shëndetshme?

Telefoni shkatërroi çdo ndjesi. Sot, dashuria është vetëm një ‘touch’ ekranit për lidhje dhe një ‘block’ ekranit për ndarje. Ajo që unë sugjeroj është komunikimi përballë, duke parë njëri-tjetrin në sy, duke ndjerë aromën, duke ndjerë zemrën që rreh.

Kemi verën përpara…ke bërë plane?

Ohh, mezi po pres, e dua natyrën..

Je e lidhur me natyrën, madje në shtëpinë e prindërve të tu ka një oazë të vockël natyre. Kalon shumë kohë aty?

Po, e kam një kopsht të vogël me shumë lule, që sigurisht merret mami me përkujdesjen e tyre. Tani është periudha më e bukur për të shijuar një kafe në ballkon, më atë oazë qetësie përpara syve.

Ti vetë merresh me lulet? Di të kujdesesh për to?

Unë, vetëm i shijoj. Mami kujdeset që ato të çelin, e të prodhojnë lule shumëngjyrëshe.

⁠Cila është lulja jote e preferuar?

Orkideja, lulja më tekanjoze që do përkujdesje, përkushtim dhe dashuri, ashtu si dhe unë.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF