KreuStil Jetese

Van Gogu që nuk keni njohur! Libri bestseller “Vincent & Siena” vjen në gjuhën shqipe nga Ilda Lumani!

 

 

Van Gogu që nuk keni njohur! Libri bestseller “Vincent &

Ndoshta është më e lehtë të pikturosh një artist si Van Gogu përmes fjalës, sesa mbi një fletë
të bardhë. Sepse nuk ka asnjë ngjyrë, as teknikë e cila përshkruan artistin në të gjitha dimensionet e tij. Por, kur bëhet fjalë për artistin holandez nuk do të mjaftonte një faqe libri, ndaj Silvia Kwon, një shkrimtare dhe njohëse e mirë e artit të Van Gogut, ka arritur që përmes jetës së tij, të riprodhojë një histori reale të piktorit, duke e kthyer në fiction.

“Vincenti & Siena” vijnë në gjuhën shqipe përmes një përkthimi nga Ilda Lumani, gazetare dhe drejtoreshë e revistës “Bordo”. Nuk ishte aspak rastësi pse Ilda zgjodhi të niste këtë rrugëtim të ri në botën e përkthimit me Van Gogun. Kujtoj që vite më parë, plot një dekadë më parë, ajo ishte impresionuar nga vizita e saj në muzeun e piktorit në Amsterdam, një eksperiencë nga e cila mori shtysën edhe përkthimi në gjuhën shqipe i veprës. Për të njohur më shumë artistin ikonik të periudhës post-moderniste në pikturë.

 

Shumica e lidhin imazhin e Van Gogut me madhështinë e sotme të piktorit holandez, por e vërteta është që ky libër sjell jetën e artistit në një dimension të panjohur. Në mbi 300 faqe libri do të njiheni jo vetëm raportin e tij dashuror me personazhin kryesor Sienën, por edhe duke zbuluar shumë detaje të tjera, si ndikimet artistike që e formuan, nga filozofët te piktorët, jeta tejet e vështirë në rrugët e Hagës, (një përshkrim që lexuesi e jeton sikur të kalojë aty, në një sfond filmi bardhë e zi, e sigurisht film me pamje shumë të trishta), raportet e tij familjare, por edhe duke bërë një panoramë të shoqërisë holandeze të epokës. 

Siena, një prostitutë e zakonshme e lagjes Gits, pasi ndjek rutinën e mbrëmjes në kërkim të “gjahut” të saj, e gjen veten krejt e ngrirë nga i ftohti në rrugët e qytetit, bashkë me vajzën e mitur Maria, ndërsa është edhe shtatzënë. Zoti e deshi që aty kalon një siluetë thatanike, artisti që asokohe ishte krejt i panjohur për publikun. Ai i fton të dyja në shtëpinë e tij, duke i propozuar që Siena të bëhej modele e piktorit.  Pas asaj natë, mes tyre nis një raport shumë i ngrohtë, fillimisht ajo zgjedh të bëjë modelen e vizatimeve të artistit, e më pas lidhja bëhet akoma më e fortë. Siena, vajza e rrugës Gits, nuk do ta besonte sesi raporti i tyre do të forcohej aq shumë, sa piktori do t’i propozonte asaj të
martoheshin, madje edhe të merrte përsipër jetën e fëmijëve të saj.

 

 

Mes përshkrimeve të holla, por të para përmes syrit të Sienës, libri sjell një pikturim të qartë të artistit nga pamja e jashtme, thuajse identik me autoportretin që ai vetë ka vizatuar në gusht 1889. E nga ana tjetër, kupton se pas pamjes së tij fshihet një univers emocional, një natyrë e ngazëllyer ndaj çdo subjekti dhe duke e vizatuar në bllokun e tij. Por jo vetëm kaq, ai është po aq human sa edhe të gjithë banorët e tjerë të Hagës – vuan për të ngrënë, nuk ka qoftë edhe një cent në xhep, por nuk i mjafton kurrë dëshira për të krijuar. Kur lexon jetën e panjohur të Van Gogut, vë re se të duket sikur lexon një roman klasik të Ibsenit, ndoshta nga shqipërimi, i cili i thjeshtëzuar, për t’i dhënë peshën e duhur rrëfimit dhe personazheve. Faqe pas faqe zbulon artistin, por edhe humanistin, burrin e dashuruar me Sienën, por edhe vuajtjet e saj.Siena fillimisht habitet sesi ai preferon të pikturojë personazhet e përvuajtur, por kur sheh veten për herë të parë të vizatuar, shprehja e saj që përkufizon qartazi artistin është se ai ka aftësinë që përmes portreteve të vuajtur, të zbulojë dhe njohë zemrën e tyre. 

 

 

Pikturat e Van Gogut, artistit holandez post-modernist, sot njihen botërisht për ngjyrat e forta, por ky libër zbulon se fillimet e tij nuk ishin aspak të tilla, përkundrazi, ato ishin të zymta dhe me personazhe që vinin nga jeta reale, por që në të vërtetë tregonin në dritën e të vërtetësgjithë panoramën e asaj epoke ku ai jetoi. Jo më kot thënia e tij, “Unë ndihem gjallë kur pikturoj”, tregon se ai donte të ndjente jetën, ashtu siç ishte pa asnjë peng, shpesh bardhë e zi, por e vërtetë.

Nga pikturat madhështore të Van Gogut, peizazhet apo lulediellit, a lulëkuqet gjithë ngjyra, në perceptimin e artistit, që shiti vetëm një pikturë në jetën e tij, krijohet ideja e një piktori romantik, por pasi njeh Vincentin përmes këtij romani kupton, se ajo çfarë kemi ditur për të është vetëm një majë ajsbergu, poshtë të cilit ka një jetë krejt larg botës së artit dhe famës, një jete të një njeriu me një dualitet besimi dhe mendimi, të një njeriu të rritur nën frustrimin kishtar, mes rregullave të një familjeje fanatike, të varësisë emocionale dhe financiare sa të babait, aq edhe vëllait Theos, letërkëmbimet mes Van Gogut dhe atij u bënë dhe themeli i këtij romani, që zbulon se kush ishte në të vërtetë Vincent Van Gogu, artisti i ngjyrave, që jetën e pati bardhë e zi!

Nga Olsi Kolami