
Nga Ilda Lumani
Sapo revista BORDO del në treg, puna në stafin tonë nis nga fillimi…
Rubrikat mbeten të njëjta, por përmbajtja nis nga zero dhe hap pas hapi mbushet me materiale, që pretendojnë të sjellin risi, promovim, evidentim, dhe reklamim, të gjithçkaje që ofron sezoni.

Prilli është muaji kapërcyell i pranverës dhe tematika për të përforcon trendet e stinës, ndërsa personazhet ecin po në këtë frymë. I tillë është editoriali, që kemi zgjedhur këtë herë në bashkëpunim me Shopping Center “COIN” dhe moderatoren Heidi Baci, një stil që frymëzon një look elegant pune, por edhe mbrëmje.

Bashkëngjitur kësaj një bisedë e plotë me Heidin, e cila flet pa doreza për veten, pa mërira për çfarë ka ikur dhe plot optimizëm për momentin e karrierës që po jeton, e atë që pret të ndodhë edhe në vitet e ardhshme. Në kopertinën e Men sjellim një model të vërtetë, një djalë, sot burrë, që u katapultua në botën e modës si imazhi i Disquared, e sot vjen pas një eksperience ndryshe si pjesë e BIG BROTHER VIP. Alesio Alia rrëfen sukseset e tij, por dhe momentet e dobëta, si baba, ish-bashkëshort, si djalë i dy prindërve që e mbrujtën në një vend fanatik, siç ishte Tropoja, e me plot aspiratë për jetën, tanimë që është në prag të 50-tave.

Në faqet e artit sjellim një ngjarje të Teatrit Kombëtar dhe jetës artistike në vend, siç është drama “Drejtësi në Nuremberg” nga mjeshtri Arben Kumbaro. Një shfaqje që shënoi jo vetëm sukses në shikueshmëri, por edhe në reflektim, qëndrim dhe perceptim për luftën, për njerëzit që e bënë atë, për ata që e jetuan, dhe për ata që e mbrojtën pas përfundimit të saj. Një histori që duket e gjallë po aq edhe në botën e 2026-s, ku Lufta është kthyer fatkeqësisht në një emërues të botës.

Libri “Shijet tona”, një ansambël i pjatave dhe traditave të gatimit shqiptar ka vijuar promovimin e tij duke u shpërndarë me njerëzit për të kryer misionin e tij, në Tiranë në librarinë "Educational Center" dhe në Elbasan, mes grave të qytetit, që festuan ndryshe këtë 8 Mars.

Bashkëpunëtoret tona: blogerja e udhëtimit Eda Bano, agjencia e udhëtimit “Perlas Travel” na propozojnë destinacione të reja, ndërsa gazetarja Doreada Mio në rubrikën e saj të përmuajshme, sjell një këndvështrim interesant për lumturinë.

Duke ju uruar shfletim të këndshëm, shpresoj që të gjeni në këtë botim gjithë përgjigjet për stilin tuaj të jetesës së prillit!








Welcome Bordo Kids!
Romantiku i fundit/ 8 gra për 8 mars!
Dreaming Girls/ Shqipëria 2018 në foto!
Pure LOVE dhe rrëfime ekskluzive!
Spring Romance dhe 8 gra që frymëzojnë!
