KreuInterior

Me stilin e David Bowie, ndikimi tek arkitektët e interiorit!

Nuk mund të ketë kohë më të mirë për t'u zhytur në estetikën e kameleonit të muzikës pop, David Bowie. Me stilin e tij, ai ka ndikuar edhe tek arkitektët e interiorit, të cilët kanë zgjedhur të aplikojnë ngjyrat e forta në dizajnët e tyre, duke krijuar një ambient modern. Pak muzikantë kanë patur një ndikim kaq të fortë sa David Bowie, i ashtuquajturi “mjeshtër i rishpikjes”, i cili krijoi personazhe skenike që rezononin me një koncept tjetër. Bota e tij njihet si Zigay Stardust dhe nisi në vitet 1970, duke shpalosur një ekstravagancë ikonike - që është së fundmi edhe fokusi i arredimit të shtëpive të sezonit. Me një prekje të fortë nga e kuqja e stilistit japonez të modës Kansai: format nuk janë asnjëherë një gjeometri e saktë, duke u shoqëruar me një stil paksa teatral. 

Ndaj edhe mobiliet që do të dekorojnë shtëpinë tuaj kanë larmishmëri ngjyrash që bien në sy, sa e kuqja, aq edhe e zeza, një paletë me efekt shkëlqyes. Frymëzuar nga estetika e viteve 1970, mobiliet janë të ulëta dhe me forma të çuditshme, por që bien shumë në sy, ndaj mos nguroni të arredoni shtëpinë tuaj. 

Kakao e nxehtë 

E gjithë vëmendja e sezonit dimëror po shkon drejt të kafenjtës, asaj që sipas Pantone u quajt nuanca çokollatë - Mocha Mousse. E gjithë kjo frymë është përhapur te interior dizajni, ku këtë vjeshtë prania e saj shënon një pikë kulmore me një gamë nuancash kakao. Nga gotat te vazot ekstravagante me ngjyrë kafe, deri te jastëkët dhe ndriçuesit, pa harruar kolltukët dhe tavolinat, të gjitha me një prekje kremoze çokollate apo kakaoje, duke u luhatur mes ngjyrës kafe të çelët dhe asaj të duhanit. Ngjyra kafe ndihet kaq e fortë kudo në mjedisin ku jetoni dhe njerëzit po largohen nga bezha apo kremi dhe po kërkojnë diçka pak më të pasur, veçanërisht diçka që i afrohet sezonit të vjeshtës. Përveçse është praktike, ajo mbetet një nuancë e ngrohtë dhe e lehtë për t’u përshtatur, duke dhuruar një ndjesi luksoze dhe një ambient modern. Mund të kombinoni të gjitha llojet e teksturave dhe ngjyrave të tjera me të, sepse është e lidhur fort me materiale të tilla si druri dhe toka, duke garantuar një shtëpi qetësuese e cila ndihmon në krijimin e ekuilibrit, estetikës komode dhe mikpritjes.