Opinioni publik është shokuar nga lajmi i gjetjes së trupit të copëtuar të Fabiola Alejandra Caicedo Piña, 19 vjeç, e njohur në rrjetet sociale si një nga yjet e rinj të TikTok-ut.
E reja venezueliane ishte shpallur e humbur që në fillim të qershorit. Pjesë të trupit të saj u zbuluan nga punonjës të një impianti të trajtimit të ujit në Lima, të futura në çanta plastike pranë objektit. Identifikimi u bë përmes tatuazheve që kishte në trup, përfshirë shkrimin “Love me for who I am”.
Më 15 dhe 19 qershor u gjetën pjesë të tjera të trupit, por disa ende mungojnë. Policia dyshon se ajo është mbytur përpara se të copëtohej, ndërsa ka shenja që sugjerojnë torturë, përfshirë djegie me cigare në këmbë.
Hetimet po ndjekin dy pista kryesore: njëra lidhet me trafikimin e qenieve njerëzore, një problem në rritje në Lima; tjetra me hakmarrje të mundshme, për shkak të rrethanave të dyshimta të vdekjes së partnerit të saj, Mayner Giménez Castrillo, me të cilin Caicedo u zhvendos në Peru në vitin 2022. Ai vdiq disa muaj më vonë dhe familja e tij ka ngritur akuza të rënda ndaj të ndjerës. Autoritetet dyshojnë se ajo është joshur natën e krimit nga persona të njohur, dhe po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë. Deri tani nuk ka arrestime dhe nuk janë bërë publike emra të dyshuarish.



















