Nuk e ka problem të “bëjë zap“ panele të tëra me të ftuar të zhurmshëm, por kur erdhi fjala të fliste për librin e tij të ri “ Tirana e Nonës“ tek Thumb, moderatori i njohur Blendi Fevziu u përlot.
“Është një libër që e kam menduar gjithë jetën, është një libër që është ngjizur bashkë me mua kur unë nuk e dija as që do merresha me letërsi, as që do shkruaja, as që do kisha pasion për historinë dhe qytetin”, tha ai dhe momenti prekës erdhi kur Fatma e pyeti se cfarë do të kishte urryer nëna nga Tirana e sotme.
“Nuk besoj se do urrente gjë, madje kjo ishte gjëja e parë që mendova kur lexova librin deri në fund. Ishte një keqardhje drithëruese që ato nuk do ta lexojnë dot këtë libër, është e trishtë”, u shpreh Blendi i pushtuar nga emocionet, duke treguar kështu se është një nga ata meshkuj, që nuk druhen ta tregojnë atë cfarë ndiejnë. Kur dy moderatoret e pyetën paskësaj nëse kishte pasur emocione edhe gjatë kohës që kishte shkruar librin, përgjigja ishte se i ka ndodhur mjaft herë.


