Nga Nada Biraçi
Fotografia: Elvis Sula
Lidhja mes zërit të tij dhe tifozëve është tejet e ngushtë, ndonëse duket se qëndron në një tis të padukshëm. Aftësia unike e Alban Xhihanit për të përçuar ‘betejën’ dhe ethet e fushës së blertë te sportdashësit e ka kthyer komentatorin Xhihani në zërin më identifikues të ndeshjeve të futbollit. Albani vjen në një rrëfim për “Bordo”, ku krahas karrierës ndan me lexuesit tanë momente nga jeta familjare, si baba i dy vajzave Uma dhe Liv.
Nuk mund të rri pa të pyetur për ndjesinë e atij komunikimit mes teje dhe Shakohoxhës disa vite më parë, që është kthyer në viral; “Është flamuri më i bukur në botë Alban”. Si e kujton atë moment?
Doli krejt rastësisht ky komunikim, që u kthye në tejet patriotik më pas. Krahas krenarisë së tifozëve për flamurin që panë në dron, kujtoj që ishte një natë shumë e vështirë mes shumë pikëpyetjeve, pasi po viheshin në diskutim edhe jetë njerëzish. Por komunikimi mes meje dhe Shakohoxhës kur unë e pyes se çfarë ishte ai flamur që valëvitej, dhe ai përgjigjet “ai është flamuri më i bukur në botë Alban”, shpesh më ka etiketuar si Albani i flamurit.
Ky Kampionat Europian të gjeti në Gjermani, si komentatori zyrtar i ndeshjeve të Kombëtares..
Po dhe jam shumë krenar dhe i kënaqur që jam pjesë e një skuadre të madhe të TV Klan, që ka ekskluzivitetin e transmetimit të ndeshjeve të këtij Europiani. Komentimi i ndeshjeve të Kombëtares me gjithë përgjegjësinë e madhe që mbart në vetvete, është një emocion i madh dhe ndihem vërtetë me fat që e kam këtë mundësi.
Bën dot një parashikim, deri ku mund të shkojmë?
Për skuadrat e zemrës nuk bëhen dot parashikime, sepse i urohet më e mira. Është si puna e fëmijës që ti i dëshiron më të mirën e mundshme. Sido të shkojë ky Europian, ne ja kemi dalë që të jemi mes 24 skuadrave më të mira në Europës.
Çfarë mendon për zgjedhjen e listës së trajnerit të Kombëtares, Sylvinho?
Nuk e paragjykoj aspak. Edhe pse të gjithë jemi koshientë që shumë emra prestigjioz mbetën jashtë kombëtares, duhet të kemi parasysh se janë vetëm 3 ndeshje dhe Sylvinho e ka vlerësuar që ajo listë, është në formë më të mirë fizike për të patur një performancë sa më dinjitoze.
Më shuaj një kureshtje, sa e vështirë është të mos shfaqësh timbrin zhgënjyes, kur skuadra jote e zemrës apo Kombëtarja pëson një gol.
Në rastin e Kombëtares është e pamundur të mos e shfaq zhgënjimin e mërzitjen dhe dua, s’dua zëri më tradhton. Kur bëhet fjalë për skuadra të tjera pastaj, me të cilat unë jam tifoz, aty jam vetëm profesionist dhe nuk mund t’ia lejoj vetes të mbaj kahe, as nëpërmjet timbrit të zërit.
Të ka ndodhur ndonjë incident gjatë komentimit të lojës?
Po, është njerëzore. Më ka ndodhur të ngatërroj emrin e lojtarit. Për shembull para pak ditësh ngatërrova Taulant Seferin me Mario Mitajn. Nisur dhe nga flokët biondë, plus që kisha një dëshirë të brendshme që Mitaj po luante shumë mirë dhe m’u duk sikur golin e shënoi Mitaj, ndërkohë që e shënoi Seferi. Pra, ndodhin incidente të tilla, edhe pse shumë rrallë.
Çfarë aftësish duhet të ketë një komentator i mirë sporti?
Mbi të gjitha duhet të ketë zërin. Po ashtu është shumë e rëndësishme përgatitja e komentatorit, i cili duhet të njohë mirë historikun e skuadrave, ‘backgroundin’ e lojtarëve deri edhe jetën personale dhe private të tyre, për të patur një rrjedhshmëri logjike të asaj që po ndodh në fushë.
Gjithmonë e më tepër gazetaret, apo moderatoret e sportit nuk janë më ato ‘kukullat’ e bukura, por janë të mirinformuara, të përgatitura njësoj edhe me gjininë tjetër, sa i përket sportit e kryesisht futbollit…E ndjeni konkurrencën?
Bota e futbollit është shumë mashkullore dhe ka shumë nevojë për prezencën e vajzave, aq më tepër kur janë të mirinformuara dhe ndjen vërtetë kënaqësi të diskutosh me to. Më vjen mirë që ka gjithmonë e më shumë gazetare dhe moderatore shumë të mira në sport, dhe prania e tyre më dhuron vetëm kënaqësi.
Le të rikthehemi pak tek Albani si familjar… Duke qenë se je baba i dy vajzave, a shihet futboll në shtëpinë tënde?
Përpara shihej shumë, por së fundmi kemi një konkurrent të fortë që është YouTube dhe filmat vizatimorë për goca që shfaqen aty (qesh). Megjithatë kam vënë re se edhe kjo thyerja e rutinës mes filmave vizatimorë dhe futbollit më pëlqen, dhe e bëj me shumë kënaqësi. Jam shumë tolerant me pultin e televizorit kohët e fundit (Qesh).
Me bashkëshorten jeni kundërshtarë apo aleatë në preferencat e futbollit?
Nuk mund të them se bashkëshortja ime është një tifoze e zjarrtë e X skuadre, por kryesisht ajo zgjedh të shohë në ndeshje në stadium, kur unë jam në koment. Nuk jemi çifti që ulemi të ndjekim një ndeshje dhe të bëjmë tifo, apo të jemi kundërshtarë. Kemi ndjekur bashkë një herë një ndeshje në Milano të Champions League dhe e vërteta është që e shijoi shumë. Bashkëshortja i preferon stadiumet më shumë për koncerte, ndërsa unë për futbollin (qesh).
Si ka ndryshuar jeta jote me ardhjen në jetë të vajzave Uma dhe Liv?
Ndryshon katërçipërisht, ama ndryshon për mirë. Të duket paksa e vështirë apo edhe e çuditshme ditët e para, por shumë shpejt kupton që është një ndryshim shumë i bukur, ai që po të ndodh. Vajza e madhe është pothuajse pesë vjeçe, ndërsa e vogla në nëntor mbush 2 vjeçe, dhe kjo është një fazë pafundësisht impenjative, ama dhe shumë e bukur dhe që unë po e shijoj shumë.
Çfarë aktivitetesh bën zakonisht me vajzat? Të ‘detyrojnë’ ato të bëni lojëra vajzash?
Nuk më detyrojnë, sepse i bëj me shumë kënaqësi (qesh). Shohim filma vizatimorë, si Elsa, Roma dhe Diana, pra repertorin e filmave për goca e di përmendësh. Luajmë me kukulla, vizatojmë, u kreh flokët dhe ua kap në modelet që ato preferojnë, bëjmë veprime matematikore, i shoqëroj në kursin e baletit, etj. Janë këto aktivitetet e vogla me fëmijët, por që të falin kënaqësi të pamatë.
Një fëmijë të tretë të familje e mendoni?
Kurioz do të isha të dija, si është të jesh baba i një djali (qesh). Edhe pse praktikisht për prindin gjinia e fëmijëve është parëndësishme, sepse dashuria është njësoj dhe unë jam tmerrësisht i lumtur dhe i plotësuar me dy vajzat. Nëse do të ishin mundësinë, mendoj se çdo prind do të ishte shumë i kënaqur edhe me katër fëmijë, do të ishte mrekulli.