KreuBordo Men

Ekskluzive/ Ardian Isufi: Arti është politikë!

Ekskluzive/ Ardian Isufi:  Arti është politikë!

Nga Ilda Lumani

Fotografia: Andis Rado

Një bisedë për artin, për ekspozitën “Ëndrra metalurgjike”, për marrëdhënien e audiencës me veprën, si dhe situatën aktuale të institucioneve të artit në vend

Ardian Isufi është nga ata artistë bashkëkohorë të përfshirë thellësisht në situatën aktuale, ku vepra e tij është jo vetëm për t’u parë, por edhe për të komunikuar, për të reflektuar, reaguar dhe për t’u bërë pjesë e saj. I njëjtë ishte edhe reagimi i publikut italian në Bari, ku u çel ekspozita “Ëndrra metalurgjike”, në “Bunker Kishë”, shikuesit përveçse e vizitonin, edhe ndiznin qirinj!

Ardian, komplimente për pjesëmarrjen në Bari me ekspozitën “Ëndrra metalurgjike”. Si lindi? Si ishte rrugëtimi i kësaj ekspozite dhe si u prit?

Së pari, dua të falënderoj revistën BORDO që kontribuon përsa i përket artit dhe kulturës në tërësi. Së dyti doja të thosha që është një ekspozitë, e cila vjen si shkak pasojë e një pune shumëvjeçare e një analize intelektuale dhe historike, dhe gjithashtu politike mbi artin bashkëkohor. Mendoj që sot sfidat e artit bashkëkohor janë shumë më të mëdha, sesa estetikat e tejkaluara, por që duhet të kontribuojmë në të mirën publike nëpërmjet estetikës së re, e cila shikon sjelljet njerëzore, shikon format sesi shoqëria jonë ka lëvizur në histori, në një histori të shkuar të afërt, siç ka qenë diktatura. Apo si të shohim të tashmen tonë, për të kuptuar më shumë për të ardhmen. Lindja e kësaj ekspozite, vjen si një akumulim intelektual, për të rrëfyer jo vetëm elemente që lidhen me utopitë edhe me vendet, të cilat kanë kaluar izolimet dhe duket sikur vazhdojnë t’i kenë trauma, por gjithashtu lidhet dhe me një sfidë për ta dialoguar me një publik ndërkombëtar. Së bashku me kuratorin Gaetano Centrone dhe organizatorin e projektit, i cili në fakt është dhe bashkëkurator, Elton Koritari, kishim disa kohë që kemi analizuar, dialoguar ekspozitën për në Bari, sepse fundja në radhë të parë, arti është gjuhë universale dhe në radhë të dytë një det na ndan, kështu që elementi simbolik i detit, i cili duket si një urë komunikimi, ishte fillesa e një propozimi nga fondacioni dhe muzeu bashkëkohor Pino Pascali dhe gjithashtu nga rajoni i Pulglia-s. Temat kanë qenë shumë të forta, që lidhen me elementin e tranziciónit, nëpërmjet objekteve urbane, historive që vijnë në forma artefaktesh. Janë prezantuar shumë që vijnë në formë retrospektivë, por dhe veprat të cilat janë instaluar enkas për këtë ekspozitë.

Si ishte reagimi për ekspozitën nga audienca italiane?

Padyshim që një nga veprat “Bunkeri Kishë”, i cili është një artefakt në linjë të Pogradecit, ku një bunker i diktaturës sot është kthyer në një kishë ortodokse rituale, krijoi një impakt shumë të fortë përballë publikut, sepse ajo çfarë mua më interesonte në këtë ekspozitë, është që publiku të bëhet pjesë e veprave të mia, jo vetëm duke u informuar, por duke reflektuar mbi to, kështu që në këtë kontekst publiku ndizte qirinj, krijonte atë ritualin kishtar, e cila kishte dhe çudinë e vet se brenda një bunkeri të ekzistojë një kishë, pra janë një përplasje e dy kohëve, e dy gjuhëve, mund të themi i dy besimeve, kështu që ky është momenti i fortë reflektues dhe mbi të gjitha publiku u impaktua jashtëzakonisht shumë.

Çfarë ndjesie ka një artist, kur shkëputet nga vepra e tij dhe e nxjerr atë përballë audiencës?

Ky është momenti më i rëndësishëm i artistit mendoj, sepse nuk është e rëndësishme thjesht realizimi i veprës, është impakti që vepra ka te publiku. Unë jam kundër artistëve që të krijojnë vepra për veten e tyre, unë jam që vepra e artit dhe qëndrimet artistike duhet të jenë për të mirën publike. Në këtë kontekst mendoj, ajo është sfida më e madhe, por projektet e mia dhe ndërhyrjet e mia artistike sa vijnë dhe potencohen akoma më shumë, ku publiku bëhet pjesë, jo vetëm thjesht duke vështruar, kundruar, duke krijuar atë rrugëtimin e tij qofshin këto piktura, skulptura apo vizatime, por mbi të gjitha është reflektimi që ka, duke dhënë nëpërmjet një formati, anketimi ose një reflektimi, që lënë të shkruar nëpër kartolina dhe këto kartolina janë vepra arti. Pra i bashkëngjitet reflektimi i publikut, veprës së artit dhe ky është mendoj unë, momenti më i mirë dhe më demokratik, me çfarë syri e shef publiku propozimin tim artistik dhe me çfarë syri unë duhet ta reflektoj mbi propozimet e tyre. Pra, ky është një dialog në vazhdim, nuk është një dialog i mbyllur vetëm për të prezantuar veprën, është në formë procesi për të rritur së bashku me publikun veprat e artit, të cilat kanë kontekste sociale, shoqërore, politike. Pra është deri diku, një lloj rrugëtimi i përbashkët dhe paralel me publikun.

“Antihomazh” është një ekspozitë, të cilës iu rikthyet përmes medias. Është shumë interesante në fakt, që jehona e asaj ngjarjeje të vijojë. Sot, në vite distancë, çfarë ke kuptuar nga reagimi i njerëzve, i protagonistëve për atë ekspozitë?

“Antihomazh” si një instalacion performancë, padyshim që në krijimtarinë time është një nga veprat kyçe, sepse jo vetëm që solla për herë të parë për publikun maskën mortore të Enver Hoxhës, diktatorit, por solla një lloj sfide përballje me diktaturën, përballje me izolimin edhe me konceptin e utopive që e shoqërojnë atë. Pra ky instalacion, i cili u prezantua për herë të parë në Muzeun Historik Kombëtar, nëpërmjet një tuneli mental, ku futej një individ për t’u përballur me këtë fantazmë të historisë, ashtu si në ato spitalet mentale ku ke një ankth dhe ky rrugëtimi për të shkuar deri te kjo fantazmë tjetër, të jepte padyshim një paqëndrueshmëri të jashtëzakonshme emocionale. Atëherë unë në këtë pikë kam regjistruar emocionet njerëzore, duke mos e ditur ato që unë po regjistroj anën mentale të tyre, dhe për mua mbi të gjitha dhe në këtë rast nuk kishte shumë rëndësi thjesht pasqyrimi maskës apo i diktatorit, por për mua kishte rëndësi shkak pasoja, që ajo linte në antropologjinë njerëzore, në portretet e tyre dhe padyshim reagimet kanë qenë të shumëllojshme, por unë dua të theksoj, mbi të gjitha që i pari që hyri në këtë tunel mental ishte Maks Velo, pra ishin dhe ato njerëz që janë goditur dhe burgosur nga diktatura dhe përballeshin për herë të parë, si të thuash pas viteve ‘90 po me të njëjtën peshë historike, politike. Në gjithë këtë rrugëtim, kam vazhduar që ta prezantoj këtë vepër qoftë në qytet e tjera të Shqipërisë, Kosovë dhe gjithashtu e prezantova edhe në teatrin e Kursaal-it në Bari. Ku për ne ka shumë rëndësi, jo vetëm të reflektojmë pak a shumë ne si shoqëri për atë situatë totalitare, por ka rëndësi që neve të krijojmë dialog të ri dhe komunikim të ri, edhe me vendet, si Italia apo në tërësi.

Kur i rikthehesh punës, rrugëtimit tënd artistik, kë moment sheh si më të bukurin, atë që veçoi karrierën tënde?

Në këtë pikë, nuk kam një moment të rëndësishëm, por për mua gjithë këto proceset e ngjizjes së veprave dhe të projekteve janë momente të rëndësishme. Nuk dua të dalloj në rrugëtimin tim artistik, ato që quhen kthesat më të rëndësishme në art. Por dua të dalloj mbi të gjitha elementin, ku unë gjithmonë jam me atë syrin e hapur, pra ky është momenti më i rëndësishëm i artistit, i cili kërkon të gjejë, nga një detaj i zakonshëm, të gjejë të jashtëzakonshmen. Ajo çfarë e veçon veprën time janë rikontekstualizimet, marr elemente artefakte të cilat i risjell i rikontekstualizoj, jo thjesht në bazë të kontekstit të ditës, por të një konteksti që ne na bën në tërësi për të reflektuar. Këto janë ato momente të cilat jep më shumë përjetimin, sesa veçantinë e një vepre apo një aktiviteti të caktuar.

Çdo artist dallon për diçka. Në filmin “Ennio” të karrierës së Ennio Morricones, vetë kompozitori brilant dha versionin e tij për veten, për artin e tij, pa ju lënë shumë hapësirë kritikëve, që të vinin etiketën për të. Ju vetë çfarë identiteti do t’i jepnit veprës suaj? Çfarë e dallon atë?

Në fakt unë jam kundër këtij lloj qëndrimi, mendoj që veprën e cakton publiku, artisti ka shumë rëndësi ta ngjizë veprën. Vepra duhet të jetojë me publikun dhe sa më fort publiku ta ketë veprën e tij, aq më fort unë mendoj që artisti e ka sjellë dhe vetveten. Në këtë kontekst mund të marrim shumë vepra në botë, veprat e artistes Marina Abramovic apo të artistit Maurizio Cattelan.

Dikur u përfshitë dhe me politikë. Përse u bashkuat dhe përse u divorcuat me të?

E kam thënë që në fillim të herës, që arti është politikë dhe politika është art. Kushdo nga artistët apo intelektualët kërkon t’i ndajë këto të dyja, bën një gabim thelbësor përtej mediokritetit, sepse nuk mund të ndash dot jetën nga vepra e artit, nuk mund të ndash atë çfarë është politike, domethënë edhe nga vepra e artit. Kur themi politike nuk do të thotë ajo, fjala e thatë e politikës, por politikë është si njeriu sillet, sa angazhohet në shoqëri dhe unë duke qenë gjithmonë për të rritur vlerat e individit. Kam qenë dhe jam gjithmonë afër të djathtës si frymë dhe si qëndrim, të djathtës politike, kuptohet që duke dashur të kontribuoj në shoqëri, kam dashur që e djathta të ishte në pushtet për të realizuar disa alternative të reja, por e shoh që dhe e djathta në Shqipëri, është padyshim pjesë e një loje të biznesit në politikë sesa të alternativave në politikë, kështu që si aktivist politik dhe sot vazhdoj së reshturi, që të jap kontributet e mia individuale. Por mendoj që skena politike, sot është e kontaminuar nga korrupsioni, padrejtësia dhe nga paligjshmëria.

Duke marrë parasysh që sot kryeministri i vendit është piktor, sa ka ndikuar ai në zhvillimin e artit të pikturës në vend, gjatë këtyre viteve? Si është terreni i artit figurativ sot?

Në fakt, skena e artit pamor dhe kultura në tërësi, të lë shumë për të dëshiruar sot. Po të shohim në Tiranë, por dhe në të gjithë Shqipërinë, mungojnë institucionet e kulturës. Nuk kemi sot Galerinë Kombëtare, Teatrin Kombëtar, Cirkun e Tiranës, Teatrin e Kukullave për Fëmijë, po mbyllet Muzeu Kombëtar, dhe kur shikon që gjitha këto institucione, kanë pushuar së aktivizuari jetën e tyre kulturore, artistike.., mendoj që jemi në një situatë pezullnaje. Pavarësisht disa zhvillimeve të vogla pozitive, që mund t’i kenë bërë shoqata apo institucione të vogla, të cilët po përpiqen të bëjnë një lloj atmosfere, gjithmonë të orientuar tek arti bashkëkohor, por në tërësi shoh që, kultura dhe arti nuk janë një pjesë e rëndësishme e qeverisë. Në anën tjetër kemi një kryeministër piktor, i cili sa vjen dhe më shumë potencon veten e tij, por që kontributet duhet të ishin më të mëdha, përsa i përket shoqërisë në këtë pikë. Duket gjithmonë si një lloj dualiteti, ndërmjet krijimit dhe krijimtarisë së një personi, i cili është i vlefshëm dhe me pushtet dhe të një publiku të tërë, që nuk ka pushtet dhe që duhet në fakt t’i jepej një projekt më i madh, përsa i përket artit dhe kulturës në tërësi. Me këtë nuk dua të shmang çfarë mund të jetë bërë përgjatë këtyre viteve, por që mendoj përveç aktualitetit, arti dhe kultura është lënë në vend të fundit ose pothuajse në harresë, kjo ka krijuar deri diku një situatë nga viti në vit, nga dekada në dekadë, jo avantazhuese për të emancipuar, për të zhvilluar një dialog akoma më bashkëkohor të publikut dhe shoqërisë shqiptare.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF