Ylli i ri i ekranit në Kosovë, fituesi i çmimit të madh në BBVK, rrëfen për “Bordo” eksperiencën e tij 103-ditore, ndjenjat për Kaderin dhe projektet që e presin, në televizion si dhe kinematografi...
Nga Engjëll Hamiti
Lumbardhi ka një dukje si një personazh, që vjen nga filmat klasikë italianë. Me një pamje tejet të kuruar, buzëqeshje të dëlirë dhe si një djalë që ka provuar modelingun, e di shumë mirë sesi të rrëmbejë gjithë vëmendjen. Futbolli dhe modelingu kanë qenë trampolinat e tij të para, kur edhe nisi të bëhej një personazh publik, por duket se asnjë nga të dyja, nuk i dhanë atij shkëlqimin që ka sot. Ylli i shkëlqeu më fort, si fitues i edicionit të dytë të “Big Brother VIP” Kosova. Ai është ylli i momentit në Kosovë, Shqipëri dhe kudo në trojet ku flitet shqip. Sepse këtë herë, Lumbardhi fitoi gjithçka: jo vetëm çmimin e madh në BBVK, por edhe zemrën e Kaderit, vajzës me të cilën tashmë po bashkëjetojnë të lumtur. Kur ishte ende fëmijë, Lumbardhi u vendos në Vjenë me familjen, ku pasioni për futbollin e nxiti të ndiqte ëndrrën e tij për disa vite, duke luajtur me disa skuadra të njohura, por duket se rrugëtimi u ndërpre në mes, kur ai ishte vetëm 26 vjeç. Pamja dhe fiziku, me tipare tipike mesdhetare, e kanë favorizuar menjëherë, për të qenë pjesë e botës së modelingut, duke dalluar shumë shpejt me projekte të ndryshme. I rritur në një familje të madhe, edhe larg Kosovës, ai pranon se ka mishëruar vlerat shqiptare, që në vegjëli. “Të qenurit larg atdheut, e bënte të gjithë ndjenjën edhe më të fortë. Kompaktësia e familjes është vlera më e rëndësishme, të cilën jam krenar ta kultivoj dhe ta përcjell, edhe në të ardhmen”.
Por nëse jeta e Lumbardhit ndryshoi 360 gradë, qysh kur ishte brenda shtëpisë më të famshme në Kosovë, ajo është akoma më ndryshe tashmë që ndodhet jashtë çatisë së “Big Brother”. Jeta dashurore në krahët e Kaderit, vajzës së tij të zemrës vijoi me intensitet, sapo mbaroi loja. Fill pas programit, ata janë nisur për disa ditë pushimesh në Spanjë, e pastaj në Austri, e ndërkaq disa projekte të reja e presin atë, në botën e televizionit dhe kinematografisë...!
Përshëndetje, Lumbardh! Nga cili vend po na shkruan aktualisht?
Përshëndetje, “Bordo”! Kënaqësi shumë e madhe të jemi bashkë. Më në fund, jam në Kosovë. Pas disa ditë pushimesh që kalova në Spanjë dhe pastaj në Austri me Kaderin. Përditshmëria në Austri mund të them që më kishte munguar dhe ishin disa ditë super të bukura, sepse u çmalla me Vjenën, sidomos kësaj radhe sepse isha vetë i dytë.
Si kanë qenë muajt e fundit, pas shpalljes fitues i “Big Brother VIP” Kosova?
Më duket sikur Big-u, nuk ka mbaruar ende. Muaj e fundit kanë qenë turbulente, sepse ka patur shumë risi në jetën time dhe nuk e kisha besuar, se kemi dhënë aq shumë brenda shtëpisë së “Big Brother”, sa njerëzit janë dashuruar me ne. Çdo ditë pas 2 shkurtit ka qenë shumë intensive, ashtu siç qenë brenda në shtëpi 103 ditët e asaj aventurë televizive. Shumë njerëz më ndalin, janë ata që janë zgjuar e kanë rënë në gjumë bashkë me ne, përtej ekranit. Të them të drejtën, gjithçka më dukej sureale në fillim, por kjo qenka fuqia e “Big Brother” si format, e ndjerë personalisht në lëkurë.
E ke menduar për çfarë do t’i shpenzosh 200 000 eurot e fitores?
Nga të gjitha gjërat që kam kaluar, si t’i shpenzoj paratë, mund të them që ka qenë e fundit që kam menduar këto kohë. Por, një gjë është e sigurt. Ato do t’i shpenzoj në Kosovë. Ka qenë dëshira ime prej kohësh që të rikthehem në Kosovë, thuajse me kohë të plotë. Peshë këtij vendimi i jep edhe fakti, që kështu ka dashur familja ime. Jam i lumtur që “Big Brother” Kosova më hapi dyert për një kapitull të ri në vendin e origjinës, pas shumë kohësh larg në mërgim, andaj do t’i gjendet vendi parave. Një biznes apo sipërmarrje, që shërben për të inspiruar të rinjtë.
A mban shoqëri me ish-banorët e BBVIP Kosova?
Të them të drejtën, kam dashur që pasi aventura në BBVK të kishte mbaruar, t’i shoh të gjithë si miq, sepse kemi ndarë bashkë një aventurë, sa të bukur, po aq edhe të vështirë. Kemi qenë të pandarë nga njëri-tjetri në 24 orë të ditës. Andaj, përpiqem të mbaj shoqëri, me një pjesë të mirë prej tyre. Por nuk është që tani kemi një miqësi intensive, pasi secili ka planet dhe projektet e veta.
Me cilin prej tyre mendon se do të keni një miqësi të gjatë dhe me cilin nuk do të jeni kurrë miq?
Emrat nuk janë habi e madhe. Kjo pasi vazhdoj miqësitë, me ata që kam patur raport të mirë edhe brenda shtëpisë së “Big Brother” Kosova. Adri, Iliriana, Alby... Pa harruar as djemtë, Bleron, Bucin. I kemi tejkaluar përplasjet e lojës. Sa i përket atyre, që nuk do të jemi kurrë miq! Dihen besoj!
Të qenit shumë i famshëm të ka shijuar, apo ka patur raste kur je ndjerë, ndoshta i bezdisur?
Nuk kam qenë i bezdisur për asnjë moment, sepse kjo ka qenë ajo që kam dashur të arrij, që para se të hyj në “Big Brother”, ndaj e kam pritur interesin e njerëzve. Për njerëzit që më njohin, ata e dinë që unë pranoj dashurinë e të gjithëve, ndaj e shijoj çdo moment, çdo përshëndetje, çdo fjalë të mirë, por edhe ndonjë kritikë që marr. Të them të drejtën, kjo ka qenë një ëndërr për mua, andaj jam mëse i lumtur, që po e jetoj të plotë në realitet.
Si po shkon romanca me Kaderin? Keni nisur bashkëjetesën?
Romanca me Kaderin po shkon fantazi, më mirë nga sa e kisha paramenduar. Kemi patur mundësi të udhëtojmë bashkë dhe kemi kaluar një kohë intensive me njëri-tjetrin. Jemi duke e mbështetur njëri-tjetrin, ndihem shumë i lumtur. Duhet thënë që lidhja jonë nisi në një situatë krejt të pazakontë, në kushte izolimi, presioni nga kamerat dhe mbi të gjitha nga banorët brenda. Një pjesë prej tyre, për efekt loje, zgjodhën të përpiqen të na vështirësojnë romancën me hijet e mosbesimit dhe kunjave. Duke qenë se u ngjiz në një situatë me plot sfida, duket se jemi bërë imunë. Për të mos i rënë mësysh, gjërat mes nesh po ecin shumë, shumë mirë!. Kushdo që na ka përcjellë brenda, e di sa kemi folur për jetën jashtë. Andaj tani po shijojmë bashkë çdo moment!
Çfarë ke parë ndryshe te Kader, që nuk e kishe vënë re brenda në shtëpinë e BBV?
Kader mund të them, që ishte personi më origjinal aty brenda. Jashtë është po e njëjta. Shumë empatike, shumë e dashur, e kujdesshme me të gjithë, ata që e rrethojnë!
Kemi parë që para pak kohësh, vizituat edhe Shqipërinë. Çfarë ju pëlqen më shumë këtu?
Ne eksploruam shumë pak vende nga Shqipëria, këtë herë bashkë. Vizita qe e shkurtër. Por, kemi në plan që t’i biem nga Vermoshi në Konispol, në një udhëtim më të gjatë. Unë jam rritur me tregime për Shqipërinë në familje dhe më vjen shumë keq, që deri sot nuk kam mundur të kaloj aty, aq kohë sa duhet. Do ta kompensoj me patjetër, në vazhdim. Çka më pëlqen gjithnjë është ngrohtësia që marr. E vërejta dukshëm edhe gjatë udhëtimit të shkurtër, që patëm aty me Kaderin. Unë gjithmonë kam qenë adhurues i Shqipërisë dhe më ka pas mbetur merak, që duke qenë se jam rritur jashtë, më së shumti kur jam kthyer kam ardhur në Kosovë, ku takoja gjyshin dhe gjyshen për pak ditë. Tani do t’i jap më shumë kohë vetes, për të vizituar më shumë Shqipërinë. Ajo që më pëlqen më shumë është deti, klima dhe mentaliteti i njerëzve, Tirana, e padyshim historia.
Cili është qyteti, ku do të doje të jetoje përfundimisht dhe të krijosh familjen tënde?
Më së miri për mua, të jem me bazë në Prishtinë dhe pak kudo tjetër, në Tiranë apo Vjenë! Unë jam rritur në një familje të madhe, por që jeta na ka shpërndarë, pavarësisht se kemi gjetur gjithnjë mënyrën dhe kohën, që të jemi bashkë. Këtë e dua edhe për fëmijët e mi, në të ardhmen. Më pëlqen të jetoj në ndonjë vend me shumë diell dhe detin, si për shembull Los Angelos.
Lumi, një djalë shqiptar i rritur jashtë trojeve tona, cilat janë traditat që familja juaj i ka ruajtur me fanatizëm dhe për të cilat, ti je vërtetë krenar?
Mendoj se një nga gjërat që më kanë favorizuar në “Big Brother”, kanë qenë pikërisht vlerat që mi ka dhënë familja dhe unë i kam ruajtur ato, sepse i kam mbrojtur traditat e familjes, siç është gjuha, respekti dhe zemra e madhe për të qenë pranë të tjerëve. Të njëjta parime dua t’ia trashëgoj, edhe fëmijëve të mi. Unë jam mishëruar me vlerat shqiptare, që në vegjëli. Të qenurit larg atdheut, e bënte të gjithë ndjenjën edhe më të fortë. Kompaktësia e familjes është vlera më e rëndësishme, të cilën jam krenar ta kultivoj dhe ta përcjell edhe në të ardhmen.
Kur ishe më i vogël, a kishte diçka që ju bënte përshtypje shokëve të tu, kur vinin në familjen tënde?
Për një austriak, ishte vështirë e perceptueshme që e gjithë familja e gjerë, të jetojnë në një çati në vendlindje. E mbaj mend sa shumë habiteshin për rendin në familje. Mbaj mend që shokët kur vinin në shtëpinë time, të gjithë shokët argëtoheshin.
Të kanë bërë ndonjëherë të ndiheshe ‘i huaj’?
Të them jo, gënjej! Sidomos në fillime. Unë kam përfunduar disa klasë në Kosovë, përpara zhvendosjes në Austri, ku babai bëri gati gjithçka për ne, në kapitullin e ri që do të nisnim aty. Adaptimi ka qenë i vështirë. Me kalimin e kohës, integrimi bëhej çdo herë e më i lehtë, por pavarësisht gjithçkaje, sërish dheu i huaj nuk bëhet kurrë i joti.
Si e projekton të ardhmen? Ku do të ketë mundësi publiku ta ndjekë Lumin, përveç rrjeteve sociale?
Në jetë, përkundër disiplinës, sidomos viteve të fundit, planet i kam patur të pakta. Dhe rastisi që gjërat më të bukura për mua, të ndodhin shpejt dhe papritur. Por kam disa ide dhe punë, në proces e sipër. Do të ndjek ëndrrat që i kam patur, e që falë profilit publik me “Big Brother”, më janë lehtësuar! Do të jem me patjetër në ekran dhe në kinematografi, një fushë e re që mezi po pres ta eksploroj!