
Ajo është brezi i dytë i familjes Missoni që drejton kompaninë e krijuar nga i ati, një dinasti e cila ruan ende rrënjët dhe historinë, por që pritet të transformohet duke parë drejt së ardhmes.
A keni dyshuar te vetja para se të merrnit drejtimin e Missoni?
Nuk kam patur asnjë dyshim, sepse kam qenë pjesë e kësaj botë shumë herët, por për gjëra që nuk i dija i kam mësuar.
Keni patur vetëbesim apo e dinit sesi funksiononte?
I kam parë të gjitha me sytë e mi, sepse kam qenë pjesë e kësaj botë qysh fëmijë. Kam parë shembullin e nënës, e cila ishte paraardhësja ime si drejtore kreative dhe unë isha gjithmonë aty? Kam jetuar në botën e modës për më tepër se 20 vjet dhe kam lindur brenda Missoni! Që në moshë të re kam takuar kaq shumë stilistë dhe gazetarë, sa isha familjarizuar me faktin që një ditë mund të dal në pension në këtë kompani. (qesh)
Pra nuk erdhi aspak si një surprizë?
Duke menduar emra si: Jean-Paul Gaultier, John Galliano, Helmut Lang apo Jil Sander, që janë talente të padiskutueshme, mendoja që isha në vendin e duhur. Duke menduar se ata që më rrethonin nuk ishin aspak mite, por njerëz, mendoja që do t’ja dilja. Sot, ka shtëpi mode që paguajnë çdo lloj talenti, ndaj kam zgjedhur të ndërtoj një skuadër me talente, sepse vetëm kështu mund të ndërtosh një kompani të suksesshme.
Si u përballët me konkurrencën?
Kur e mora përsipër, Missoni ishte pak klasik. Më duhej të shkoja të gjeja talente, ndryshe nuk mund ta përballoja kurrë! Ne kishim një biznes të mirë, por nuk ishte në modë si dikur. Nëna ime ndihej e lodhur, ishte e mërzitur dhe nuk mund të luftonte me konkurrentët.
Ndaj ju punësuat Mario Testino dhe Carine Roitfeld…
Pikërisht. Unë i kam parë gjithmonë ata me sy të mirë. Pasi Mert dhe Marcus bënë fushatën e parë për mua, më duhej të komunikoja përmes imazheve, sepse mungonte fuqia e reklamës. Fillova të shoh digjitalizim rreth meje, gjë e cila nuk u prit mirë, sepse ishim tre breza të përfshirë në këtë sipërmarrje familjare!
A je penguar ndonjëherë nga familja Missoni?
Ka kaq shumë pasion nga e gjithë familja, madje edhe nga nipërit dhe fëmijët e mi, sa asgjë nuk mund të kalojë pa u vënë re. Ata janë të pranishëm në jetën e kompanisë edhe pse në fakt, babai im nuk donte kurrë një kompani me këtë frymë. Ai besonte se nuk ishte biznesmen, sepse për të ishte mirë të punonte në mënyrë që të kishte një jetë të mirë. Atij i pëlqente fakti që mund të ishte artizan, sesa biznesmen.
Pra, babai juaj nuk kishte një mentalitet kapitalist…
Babai im lindi në Dalmaci, pra në Dubrovnikun e sotëm. Në moshën 21-vjeçare u nis për në Luftën e Dytë Botërore dhe u mbajt i burgosur në Egjipt për 5 vjet. Aty nisi të krijojë universitetin i tij të jetës, filloi vërtet filozofia e tij. Mbaj mend, sa herë mamaja kërkonte projekte të reja, ai thoshte: Rosita, pse doni të punoni kaq shumë për para, kur nuk do të keni kurrë kohë për t’i shpenzuar!.
Çfarë synoni të ndryshoni në kompaninë tuaj?
Anën komerciale dua të ndryshoj më shumë! Dua të gjej njerëz që kanë një vizion, që shikojnë nga e ardhmja, sepse njerëzit që e dinë se çfarë kanë shitur dje, nuk janë të nevojshëm. Njerëzit e lodhur, mund të largohen dhe të bëjnë një punë tjetër. Nëse doni të punoni në modë, duhet të keni entuziazëm për të.
A është e vërtetë që fillimisht u rebeluat për t’u bashkuar me kompaninë?
Po! Nuk e di, kishte diçka që më shqetësonte. Mamaja ishte shumë e fortë, kishte opinion të çeliktë dhe ishte e vështirë të punonim bashkë. Doja të largohesha, por babai im tha: Nëse dëshiron një projekt, konsideroje kompaninë si një kapelë të madhe, por nuk ka nevojë që të punosh me nënën tënde çdo ditë.
Si ndihet vajza juaj Margherita tani që po punon me ju?
Ndihet mirë, sepse sapo filloi linjën e parë Missoni për fëmijë. Unë i marr mendim asaj për çdo gjë.
Pra filozofia e Missoni mbetet: tradita vazhdon?
Moda është diçka që duhet ta bësh kur je i ri, plot pasion dhe ke forcë të luftosh për idetë e tua. Mendoj se kam ende shumë gjëra për të bërë. Që ditën time të parë, kur fillova të punoj në Missoni, më dukej sikur vetëm po rregulloja gjëra. Sot është shumë e rrallë të gjesh një stilist që shpik vërtet stil, por prindërit e mi e bënë! Pra, mendoj se kemi një markë që mund t’i qëndrojë kohës dhe ka shumë histori…
Ju keni thënë: “Ne jemi mirënjohës për rrënjët tona, por kurrë nuk dua të mbështetemi tek ato”.
E vlerësoj të kaluarën sepse është e rëndësishme, madje shpesh frymëzimin për të ardhmen e gjej duke u kthyer tek arkiva. Them nuk mbështetem tek e shkuara, sepse nuk mjafton. Gjithmonë dua të shikoj përpara. Rrënjët të japin fuqi dhe frymëzim, por për të shikuar para, nuk mund të jetosh me të kaluarën…!