KreuCelebrity

Shuhet në moshën 85-vjeçare regjisori legjendar i “Friends”

Shuhet në moshën 85-vjeçare regjisori legjendar i
Bota e televizionit ka humbur një nga emrat më të rëndësishëm të saj. Regjisori i njohur James Burrows është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare.

Lajmi është konfirmuar nga familja e tij për revistën People, e cila bëri të ditur se Burrows u shua në qetësi, i rrethuar nga të afërmit e tij më të dashur.

Në mesazhin e publikuar, familjarët e përshkruan atë si një figurë të jashtëzakonshme të industrisë së televizionit dhe një krijues që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e komedisë.

“Për më shumë se 50 vjet, ai ndikoi në zhvillimin e komedisë televizive dhe solli gëzim për miliona shikues në mbarë botën”, thuhet në deklaratën e familjes.

Përveç arritjeve profesionale, ata theksuan se Burrows do të mbahet mend edhe për humanizmin, ngrohtësinë dhe mënyrën se si i bënte njerëzit përreth të ndiheshin të vlerësuar.

Gjatë karrierës së tij të gjatë, James Burrows drejtoi disa nga serialet më të famshme amerikane, mes tyre Friends, Cheers, Frasier dhe Will & Grace. Puna e tij u vlerësua me një numër të madh çmimesh Emmy, duke e vendosur mes regjisorëve më të suksesshëm të televizionit.

Ai e nisi rrugëtimin e tij artistik në vitet 1970 me projekte si The Mary Tyler Moore Show dhe The Bob Newhart Show, ndërsa fama e madhe erdhi me Cheers, serial që u kthye në një fenomen televiziv dhe konsiderohet ende sot një nga prodhimet më të rëndësishme në historinë e televizionit amerikan.