KreuArt

Një mesazh për Françesk Radin…

Françesk Radi nuk ia doli dot. Ai e humbi pranverën. Pas disa ditësh në gjendje kome, pas një hemoragjie cerebrale kolosi i këngës shqiptare, nuk e fitoi dot betejën. Pasdreken e ditës së djeshme, Françesk Radi u largua përgjithmonë nga kjo jetë, në moshën 68 vjeçare, duke hidhëruar familjarët, miqtë e dashamirësit e tij. Më kujtohet teksa dilte në skenën e festivaleve të fundvitit, me kitarën në dorë, dhe menjëherë teksa niste muzika, ai mbyllte paska sytë dhe në ato tre minuta të këngës, Radi i jepte skenës shkëlqimin e një ylli ndërkombëtar. Sepse nëse Italia ka të madhin Adriano Çelentano, ne kemi Françesk Radin. Fati i keq i Frankos, ishte që lindi në këtë vend, ku pasi përjetoi vështirësitë e regjimit komunist, pasi Françesku ishte shumë modern për kohën, me keqardhje më duhet të them, që teksa ndiqja lajmet qendrore në të gjitha kanalet televizive ditën e djeshme, largimi nga jeta i këtij kolosi të muzikës, zinte një hapësirë të shkurtër, andej nga fundi, pasi kishim parë të gjithë politikanët e mundshëm për rreth 30 min. Por, Françesku i ka dashamirësit e tij, dhe ata janë publiku i thjeshtë, është rinia e sotme që edhe pse ndoshta nuk e njeh këngëtarin fizikishit, pasi ai modestisht, ashtu siç ndodh me të gjithë njerëzit e mëdhenj, nuk ka peferuar të dali në intervista, emisione, apo spektakle…., rinia i këndon këngët e tij. Timbri i veçantë i zërit të tij, temat e spikatura që trajtonte në këngë, tekstet plot me mesazhe të forta dhe krijimet e kantautorit Radi janë dhe do të mbeten pasuri në fondin e muzikës shqiptare. Franko, siç e thërrisnin më të dashurit e tij do t’i mungojë fiziksht këtij vendi, por shpirtin ai la këtu mes nesh, e la në çdo këngë e në çdo krijim të tij. Ndaj, ne ndjejmë të themi Faleminderit Franko!

Cili ishte Françesk Radi

Françesk Radi është një kantautor shqiptar. Ai ka kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar në Estradën e Shtetit me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht edhe si kantautor. Në vitin 1992 ai ka filluar punë në Radio Tirana si solist, instrumentist dhe kantautor. Këngët që do ta afirmonin atë si kantautor do të ishin këngët “Adresa” dhe “Biçikleta”, në vitet ’70. Më pas ai do të kthehej në një ndër kanraurorët më të rëndësishëm të vendit. Ndërkohë pas viteve ’90 Françesk Radi do të krijonte mjaft këngë me mesazhe të forta të kohës si “Rroku i burgut”, “Humba Pranverën”, “Ky fat na ra”, “Zemër e lodhur”.

Mesazhe nga të afërt, miq, e kolegë për Françesk Radin

Për largimin nga jeta të Françesk Radit reagimet nëpër rrjetet sociale nga miq, e kolegë kanë qenë të shumta. Ndërkohë për të gjithë ata që duan ti japin lamtumirën e fundit kantautorit Radi, homazhet mbahen sot në orën 10:00-12:00, në ambientet e Radiotelevizionit shqiptar.

 

 

Tags:

Home Art