KreuCelebrity

Oscar i pritur për Demi Moore!

Oscar i pritur për Demi Moore!

Ajo nuk kishte marrë pjesë në një projekt të madh filmik prej mbi 25 vjet. Madje, mund të ishte harruar krejtësisht, nëse nuk do të ishte për miqësinë e saj të pazakontë me Bruce Willis. Papritur, ajo e gjeti veten të nominuar për 45 çmime, madje edhe duke fituar Globin e Artë.

Oscar i pritur për Demi Moore!

Demi Moore shënjoi me emrin e saj në dekadën e viteve 1990 si aktorja e cila mori pagesën më të lartë për një projekt të vetëm, duke u paguar 12,5 milionë dollarë për rolin e saj në filmin “Striptease”. Pas disa filmave të suksesshëm, si: “Ghost”, “A Few Good Men”, “Indecent Proposal” apo “Disclosure”, aktorja u zhduk papritur nga skena e kinemasë. Pavarësisht se nuk ka ndaluar kurrë së aktruari, Demi ka luajtur në rreth 20 filma që nga viti 1997, por duket se asnjë nuk ishte nga ata që mund të bënte xhiro në tregun e kinemasë, ndërsa shumë prodhime të tjera kanë kaluar pa u vënë re.

Befas, ajo u shfaq vitin e kaluar në Festivalin e Filmit në Kanë dhe ky ishte një rikthim madhështor me filmin “The Substance” nga regjisorja franceze Coralie Fargeat, e cila në projektin e saj debutues të vitit 2017, “Revenge”, reflektoi se ishte e tërhequr ndaj zhanrit të horrorit. “The Substance” është më shumë një satirë, sesa horror, një nënzhanër që shpesh ka rënë viktimë e censurës dhe përfshin vepra të njohura, si: “Videodrome” dhe “The Fly” të David Cronenberg, “Eraser Head” të David Lynch, “The Thing” të James Cameron apo “Boxing Helena”, e drejtuar nga regjisorja Jennifer Lynch. “The Substance” i Fargeat trajton temën e plakjes së aktorëve në Hollywood, dhe duket se ajo ka zgjedhur Moore-n si protagoniste për shkak se edhe vetë ajo ka rënë viktimë e diskriminimit për shkak të moshës, me karrierën e saj e cila u ndërpre për shkak të ardhjes në skenë të aktorëve më të reja dhe më tërheqëse në Hollywood. Historia nuk ofron asgjë të re në këtë kuptim, pasi e kemi parë atë të zhvillohet shumë herë më parë, por kurrë nuk e kemi parë të paraqitet në këtë zhanër. Përveç se filmi fitoi çmimin e Festivalit të Kanës për Skenarin më të Mirë dhe Çmimin e Publikut në Toronto, Moore u nominua për 45 çmime brenda dy muajsh, përfshirë një çmim prestigjioz të Sindikatës së Aktorëve të Ekranit. Megjithatë, ajo u bë favorite për çmimet Oscar për shkak të fitores së Globit të Artë, ndonëse favorite në kategorinë muzikale e komedi ishte në fakt Mikey Madison për filmin “Anora”.

Fjalimi i saj ishte rrëqethës dhe bëri xhiron e botës. Demi shprehu mirënjohjen e saj pas fitores së këtij çmimi prestigjioz për herë të parë në karrierën e saj, duke thënë: "Në ato momente kur nuk mendojmë se jemi mjaftueshëm të zgjuar, të bukur, të dobët dhe të suksesshëm, kisha pranë një grua që më tha: nuk do të jesh kurrë mjaftueshëm, nëse nuk do të dish vlerën tënde. Sot, e festoj këtë si një shenjë të plotësimit tim, dashurisë që më drejton në punën që bëj dhe se duhet t'i kujtoj shpesh vetes se kujt vërtet i përkas”.

Oscar i pritur për Demi Moore!

Demi jeton një jetë krejt ndryshe sot, mjaft e izoluar dhe larg nga sytë e publikut. Pavarësisht se është divorcuar 24 vjet më parë, Demi ka mbetur jashtëzakonisht e lidhur me ish-bashkëshortin Bruce Willis. Moore madje u transferua përkohësisht te Willis pas diagnozës së tij me demencë në vitin 2023, ndërsa po kalojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre. Kur u pyet sesi duket jeta e saj në të 60-at, ajo tha se po përjeton një tjetër jetë dhe se ka më shumë autonomi se kurrë më parë. "Nuk më pëlqen të projektoj dhe të them, 'Ja ku dua të jem,' sepse nuk e di se ku do të jem. Por e di që kjo është një mundësi për të kaluar kohë të mirë!”. Pasi përfundoi xhirimet për G.I. Jane, gjatë të cilave stërvitej aq shumë sa ndryshoi trupin në mënyrë radikale, ajo kuptoi që nuk e dinte deri atë moment pamjen natyrore brenda trupit të saj. “Arrita të kontrolloj ushqimin dhe stërvitjet e mia rreptësisht, deri në momentin kur një ditë nuk mund ta bëja më, dhe më në fund doja të kisha trupin tim natyral. Atëherë ndalova kontrollin obsesiv ndaj dietës sime. Gjeta lirinë dhe trupi im në fakt u bë saktësisht siç të doja të ishte”.

Pas suksesit të saj të në Kanë, aktorja Demi Moore ka siguruar tashmë dy projekte të tjera: serialin “Land-Man” dhe filmin komedi “I Love Boosters”. Ky film horror i pavarur francez, i cili ka kushtuar vetëm 17 milionë dollarë për t'u prodhuar, ka arritur të fitojë 80 milionë dollarë në mbarë botën dhe deri tani është nominuar për më shumë se 100 çmime.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF