Në romanin e tij të fundit, "Dhe pastaj, ajo u bë pemë", autori Loer Kume na fton në një udhëtim filozofik që lartëson qenien njerëzore
Nga Anita Aliaj
Në një kohë kur letërsia shqiptare kërkon të rindërtojë urat e saj me lexuesin, autori Loer Kume vjen me një roman që tejkalon pritshmëritë dhe sfidon mënyrën tradicionale të të rrëfyerit. “Dhe pastaj, ajo u bë pemë” nuk është thjesht një histori – është një udhëtim i thellë filozofik dhe emocional, që shtron pyetje mbi qenien, zgjedhjen dhe rolin e njeriut në shoqëri. Autor, mjek stomatolog, mendimtar dhe së fundmi edhe pjesë e politikës, Loer Kume në këtë bisedë për “Bordo” ndan këndvështrimin e tij mbi letërsinë shqiptare dhe jo vetëm..
Libri juaj i fundit “Dhe pastaj, ajo u bë pemë” është pritur me shumë interes. Historia që rrëfeni aty – është një e vërtetë që keni jetuar, apo copëza realiteti të përziera me imagjinatë?
Është e vërtetë që “Dhe pastaj, ajo u bë pemë” u bë, shumë shpejt, menjëherë pas botimit të saj, një vepër e rëndësishme për lexuesit e letërsisë shqipe. Njerëz më shkruajnë, vazhdojnë, me përshtypje aq superlative sa një autor mund t’i thotë vetes: “Kjo ishte, krijova kryeveprën time”. Por për mua është shenjë që puna ime, është në rrugë të drejtë dhe kërkimi duhet të vazhdojë. Historia në këtë roman është si gjithë historitë e letërsisë: krejtësisht e vërtetë, krejtësisht e sajuar.
Marta është një nga ato personazhe që duket sikur e tejkalon faqen e librit dhe merr jetë më vete. Çfarë përfaqëson ajo për ju si autor – është një figurë që flet për një realitet të brendshëm, apo një simbol që sfidon rolet tradicionale të gruas në shoqërinë tonë?
Marta është si dragonjtë. Përderisa e mendojmë, është e vërtetë. Unë si krijues nuk mund dhe nuk do të gaboja kurrë të flisja për botën e brendshme, strukturat mendore, meandret e mendimit dhe ndjesive të një femre. E vetmja mënyrë për të realizuar këtë rrëfim ishte të tregoja ç’bën Marta. Në fund të fundit, mendimet tona nuk kanë pikë rëndësie. Rëndësi ka veprimi. Ai tregon gjithçka për zgjedhjet e njeriut; zgjedhjet tregojnë për tërë terrenin që njeriu ka punuar, për të arritur te këto mendime finale e aksione. Dinamika është bota jonë sot. Sigurisht që Marta është një femër simbol, por për një arsye të fortë, mendoj unë: Marta bën rrugën e kundërt sociale – realizohet si femër, si grua, si profesioniste, si nënë, pastaj bëhet njeri. Lartëson njeriun me zgjedhjen e saj finale. Në vrapin që bëjmë çdo ditë për t’u realizuar, harrojmë të bëhemi njerëz në radhë të parë. Marta është triumf i njeriut.
Ju përmendni një doktrinë personale që e quani “Esencializëm”. Na tregoni pak më shumë për të: çfarë është, dhe si ndikon në mënyrën si krijoni?
Esencializmi është një mënyrë të menduari – dhe nëse mundemi, të jetuari – që lindi si përgjigje personale ndaj ekzistencializmit. Ky i fundit e vendos njeriun në qendër të universit dhe i jep peshën e Zotit, duke shmangur konceptin fetar dhe filozofik, e duke ngarkuar njeriun me përgjegjësi mbi gjithçka. Kjo na bën të harrojmë që ne jemi pjesë e së tërës, me peshën tonë specifike në botë – dhe këtë e kupton kur gjendesh në det të tërbuar, apo para një bishë të egër. Nëse mendon për të tërën në ‘Overview Effect’, zbret dhe analizon, dhe merresh vetëm me thelbësoren në jetën tënde. Dhe thelbësorja arrihet duke shkurtuar pjesë të tepërta të ditës, kohës, sendeve, kontakteve që nuk të bëjnë. Dhe të fokusohesh vetëm te gjërat që na bëjnë vërtet. Nëse zbatohet ky stil jete – që në të vërtetë nuk është dhe aq i thjeshtë sa në letër – s’duhet të kishim gardëroba, më së pari. Kështu edhe në letërsi: në një teknikë që e zbatova te “Dhe pastaj, ajo u bë pemë”, shkurtova pjesë pafund për të dhënë më thelbësoren e historisë. Sigurisht, nuk mund ta bësh gjithmonë këtë. Ka rrëfime që duan detaje.
Pasioni për librin, për shkrimin, ka lindur shumë herët te ju. Por a ka patur ndonjë moment në jetë kur keni menduar t’i largoheni letërsisë?
Kur isha në klasë të tetë dhe vit të parë në gjimnaz. Më tërhiqte rruga, rrëmuja, jetonim në kohën e rrëmujës, pa asnjë sistem vlerash – një çoroditje brenda e jashtë që ne të brezit tonë na bën brezin e rrëmujës, dhe na bën të mbijetuar. Gjatë kësaj kohe nuk kisha asnjë interes për letrat, librat, muzikën. Asgjë. Ishte si të ecje në errësirë të ëmbël, por të idhtë – rrugë që duhej bërë. Përveç kësaj kohe, letërsia, por edhe muzika e piktura janë pjesë e imja e pandarë.
Ndërkohë që jeni një shkrimtar aktiv dhe i vlerësuar, jeni gjithashtu edhe mjek stomatolog. Si bashkëjetojnë këto dy botë brenda jush – ajo artistike dhe ajo mjekësore?
Afër me shkollën fillore gjendej klinika stomatologjike. Shkoja fshehtas dhe përgjoja mjekët aty, në një punë që më dukej sa joshëse aq edhe e tmerrshme. Ndaj tërheqja ka qenë e hershme, besoj, dhe udha gati e shkruar. Ndërsa letërsia ka lindur me mua. Nuk është diçka që çohet njeriu një ditë dhe thotë “do të bëhem shkrimtar”. Ka qenë dhe është një gjuhë komunikimi. Secili lind me gjuhën e tij të komunikimit, mendoj.
Jeni përfshirë si kandidat në listat e mbyllura të Partisë Socialiste për Durrësin. Çfarë ju shtyu drejt këtij angazhimi politik? Dhe a besoni se një artist mund të ndikojë realisht në shoqëri përmes politikës?
Një artist është apolitik. Arti është kërkim dhe interpretim i të vërtetave, dhe nuk merr kurrë formë përfundimtare – ndryshe nuk është art. Një libër nuk është kurrë i përfunduar. Një pikturë gjithashtu. Ama çdo njeri është politik. Dhe artisti është edhe njeri social, jeton në shoqëri, në përditshmëri, dhe këtë e koordinon politika. Ndaj në këtë pikë vendosa të marr pjesë në politikë si mënyrë për të bërë gjëra të mira, për të krijuar me impakt të drejtpërdrejtë. Letërsia është të mbjellësh fara, politika është të kujdesesh për kopshtin. Ky është kontributi im ndaj së përditshmes.
Si është një ditë e zakonshme e juaja, mes klinikës, leximeve dhe botës së brendshme letrare? Keni një ritual ditor?
Zgjohem me zor, çoj fëmijët në shkollë, bëj një ecje të shkurtër buzë detit – fat i qytetit të Durrësit ky – pastaj ulem dhe shkruaj. Më pas shkoj në klinikë, dhe deri pasditen e vonë jam në punën e mjekut stomatolog. Vazhdimi është familje e miq. Lexoj, fle shumë vonë, dhe si pasojë sërish zgjohem me zor.
Nëse do të mund t’i jepnit vetëm një këshillë një të riu që kërkon të bëhet shkrimtar sot në Shqipëri — cila do të ishte ajo?
Ka vetëm një mënyrë si mund të bëhesh shkrimtar: të jetosh, por me libër në xhep. Duhet ndjekur rrjedha e jetës, aventura – por çdo herë duke lexuar pafund. Vetëm leximi të bën shkrimtar. Kemi shkrimtarë që kanë jetuar në biblioteka, por nuk ka shkrimtarë që nuk kanë lexuar. Lexo gjithçka që mundesh.
Letërsia ka fuqinë të transformojë shoqërinë. Çfarë mendoni se mund të ndryshojë përmes letërsisë shqiptare dhe cilat tema do të donit t’i trajtonit më shumë në të ardhmen?
Unë kam ëndërruar dikur që njerëzit të protestonin nëpër sheshe me ‘Histori e shkurtër e rrëmujës’ në dorë. Ky është romani im i protestës sociale dhe filozofike. Por kjo nuk ka ndodhur akoma. Letërsia shqiptare duhet të lidhë Shqipërinë bashkë, e pastaj Shqipërinë me botën. Por kjo është ide politike e imja. Fjala ‘duhet’ nuk ekziston në letërsi. Dhe kjo është e tëra.











Intervistë/ Akil Kraja, që nuk njihni!

Calvin Harris, baba për herë të parë!


Lista e nominimeve Tony Awards 2025!





