KreuCelebrity

'Çfarë mund të them për Krakov...', nga Eda Bano!

'Çfarë mund të them për Krakov...', nga Eda

“Do më thuash diçka për Krakov?”- më pyeti një ditë një shoqe.

Po, për Krakov ka shumë për të thënë. Një ndër qytetet më të mëdha në Poloni, pranë kufirit me Çekinë e Sllovakinë, ky cep jugor i Polonisë, ky qytet i shquar për arkitekturën, muret e lashtë dhe historinë, është një ndër më mbresëlënësit në gjithë Poloninë. Po të shkosh vetëm një herë në Krakov, nuk mundet ta harrosh kurrë atë.

Në fakt Polonia është një vend i veçantë dhe dallohet për qytetet e bukura të saj. Varshava, kryeqyteti, nuk duhet lënë kurrë pa e vizituar minimumi një herë në jetë.

'Çfarë mund të them për Krakov...', nga Eda

Wroclav është një tjetër qytet piktoresk plot me ngjyra… Poznani studentor, apo Gdansk qyteti- port me rëndësi në tregti e ekonomi…

Por, Krakov bën përjashtim në këtë klasifikim duke zënë një vend nderi.

E dini që edhe vetë nazistët kaq shumë e pëlqyen, sa e quajtën “kryeqytet” dhe nuk e bombarduan gjatë Luftës së Dytë Botërore? Sepse, për hir të së vërtetës, Krakov ka qenë kryeqyteti zyrtar i Polonisë deri në vitin 1596, dhe një nga qendrat kryesore akademike, kulturore dhe artistike polake. Kaq i bukur është Krakov: i cituar si një nga qytetet më të bukura të Evropës, qyteti i tij i vjetër është shpallur një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në 1978 dhe është një nga vendet e para në botë që iu dha ky status.

Krakov është vendi ideal për të kaluar një fundjavë të paharrueshme!

Dy ditë mjaftojnë për ta eksploruar atë, si dhe për të blerë suvenire të paharrueshme veçanërisht bizhuteri në qelibar, suvenire në qeramikë, çanta pëlhure me dizenjo fantastike, “pisanik”- vezë të dekoruara të Pashkëve që janë shumë tipike e shumë tradicionale, produkte kripe nga miniera e kripës “Wieliczka”, figurina të artit popullor apo kartolina 3D…

Sapo mbërrin në Krakov kënaqesh me faktin që “kuletën duhet ta lësh mënjanë”. Sepse Krakov është destinacion për të gjitha buxhetet, që nga ato më ekonomiket. Për bukurinë që ka dhe për atë çfarë ofron, ka çmime shumë të përballueshme dhe kjo e bën shumë më të pëlqyeshëm.

E bukura është që pak njerëz e konsiderojnë Krakov si një destinacion të mirëfilltë. Vërtet, krahasuar me Pragën, Romën, Parisin, Krakova mund të mos jetë në nivelin e tyre, por është e vërtetë që si destinacion është i konsoliduar, i pëlqyeshëm dhe sa më shumë kalon koha, aq më shumë turistët po i afrohen asaj.

'Çfarë mund të them për Krakov...', nga Eda

Ku mund të shkosh në Krakov?

1. Porta e Shën Florianit
Porta e Shën Florianit është kulla e fundit e mbetur e qytetit, e ndërtuar në shekullin e 14-të për t'u mbrojtur nga sulmet turke. Ky është monumenti më i fotografuar në Krakov; nuk mund “të shpëtosh” pa bërë foto dhe admiruar atë.

2. Barbican
Barbican ndodhet përballë portës jashtë mureve dhe është një nga shembujt e arkitekturës mbrojtëse në Evropë. Është e lidhur me portën Florian që të çon në sheshin kryesor të bukur e mesjetar.

3. Sheshi kryesor
Sheshi kryesor i Krakovit, Rynek Glowny, është shumë i lashtë dhe një nga sheshet më të mëdha mesjetare në Evropë. Është i mbushur me turistë, me shumë tezga, me treg, muzikë dhe njerëz që shesin tullumbace dhe xhingla të tjera. 
Thuhet në manualet e turistëve, që një nga mënyrat më të mira për të shijuar Rynek Glowny, është të ulesh jashtë një prej 30 (po 30!) kafeneve dhe restoranteve të saj, me një copë “çiskejk” tradicional polak (Sernik Babci) dhe një kafe.

4. Bazilika e Shën Mërisë
Ka kaq shumë kisha në qytetet evropiane saqë nganjëherë nuk del koha e mundësia për t’i parë të gjitha, por kjo ia vlen të shikohet. Aty brenda ka detaje dritaresh me ngjyra-ngjyra dhe punuar aq mjeshtërisht sa të mahnit. 

5. Salla e rrobave
Po, ka një sallë “pëlhurash”. Edhe nëse nuk ke dëgjuar kurrë për “Sallën e Pëlhurave”, nuk kalon pa u vënë re. “Smack bang” në qendër të sheshit kryesor është një treg i fshehtë i krijuar shekuj më parë. Interesant është edhe muzeu “Rynek Underground” pak më poshtë, nga i cili merr shumë informacione për historinë e Krakov. 

6. Kalaja Mbretërore Wawel
Kjo është një kështjellë e mrekullueshme, e ndërtuar në shekullin e 11-të, ndodhet në një kodër rreth 25 metra mbi lumin Vistula. Hyrja në kala është falas, kështu që mundësia për ta vizituar dhe për të bërë foto është e madhe. 
Edhe turistët gjithashtu janë të shumtë. Pavarësisht se këshillohet që Krakov të vizitohet në muajt e pranverës dhe fillimit të vjeshtës, duhet shmangur piku i turistëve, pasi nganjëherë bëhet e pamundur një vizitë e qetë në të gjithë qytetin. 

'Çfarë mund të them për Krakov...', nga Eda

7. Rruga Kanonicza
Kjo rrugë e vogël që ia vlen të shkosh, është një nga më të vjetrat në Krakov dhe dikur këtu ishte shtëpia e personit më të famshëm të Polonisë, Papa Gjon Pali II. Ai është kudo në Krakov. Me imazhe, statuja, banderola…

8. Kazimierz
Thuhet se asnjë udhëtim në Krakov nuk është i plotë, pa një vizitë në lagjen e tij hebraike Kazimierz. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kjo zonë ka parë pjesën e tejskajshme të mjerimit, por në dekadat e fundit ajo vjen plot me hipstera, bare të këndshme, kafene dhe restorante. 

9. Kopshtet e bimëve
Një nga pjesët më unike të qytetit të vjetër të Krakovit është se ai është i rrethuar nga kopshte të harlisur. Duket si një mënyrë kaq romantike për të nderuar të kaluarën e qytetit dhe e bën të lehtë qëndrimin. Është aq çlodhës në verë, duket vërtet si bekim. Porta e Florianit është e lidhur me një kopsht të tillë. 

10. Një drekë tradicionale
Udhëtimi në Krakov të Polonisë nuk do të ishte i plotë pa disa petulla me patate me salcë kosi (ose gulash). Opsion i mirë është ndonjë nga restorantet pranë kështjellës, ku të tëra restorantet shërbejnë ushqim tradicional vendas pa harruar ëmbëlsirën tradicionale me kafe në fund. 

Eda Bano, prill 2025

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF