Këngëtarja me famë botërore Laura Pergolizzi, e njohur me emrin e artit LP, elektrizoi mbrëmjen e kësaj të diele Pallatin e Koncerteve.
Me një zë mahnitës LP dhuroi një koncert të cilin mund ta quajmë pa frikë magjik. Hitet e njëpasnjëshme të yllit botëror u kënduan njëzëri nga gjithë të pranishëm duke dhuruar emocione të pakrahasueshme.
Mes qindra adhuruesve të LP, ishin edhe shumë prej personazheve të njohur, ku mund të përmendim Eva Muratin, Xhani Shqerra, Enada At’Nikolla, Marsela Çibukaj, Ervin Kurti, Sardi Shehu, Indrit Çobani, Ilda Lumani e shumë e shumë të tjerë.
Moment shumë i bukur ishte kur të gjithë menduan se gjithçka mbaroi pasi LP së bashku me gjithë instrumentistët dolën nga skena. Fansat prisnin me padurim që “Lost On You” të këndohej dhe kjo ikje e beftë pa e kënduar hitin bëri që të gjithë të brohorisnin duke bërë që LP të rikthehet në skenë dhe ta interpretonte këngën aq shumë të dashur.
Sigurisht që ky koncerti nuk do të kishte kuptim pa interpretimin brilant të “Lost On You”. Në fund këngëtarja dhe kantautorja me famë botërore me modesti zbriti dhe takoi nga afër gjithë fansat, duke bërë edhe fotografi me ta.

















