Sofía Jirau ka bërë histori duke u bërë modelja e parë e Victoria’s Secret me sindromën Down. 24-vjeçarja iu bashkua 17 vajzave të tjera në nisjen e fushatës për koleksionin e ri të veshjeve të brendshme.
“Një ditë që e kam ëndërruar. Kam punuar dhe sot kjo ëndërr është realizuar”, ka shkruar ajo e emocionuar në profilin e saj në Instagram, “Unë jam modelja e parë e Victoria’s Secret me sindromën Down!”
Jirau filloi karrierën e saj si modele në Puerto Riko në vitin 2019. Në të njëjtin vit, ajo hapi dyqanin e saj të suksesshëm të modës në internet, “Alavett”.
Në shkurt 2020, vetëm një muaj përpara se Covid-19 të izolonte botën, Jirau bëri debutimin e saj në Javën e Modës në Nju-Jork, për të cilën ajo shprehet se është krenare pasi është një nga modelet e pakta me sindromën Down që ka arritur të marrë pjesë në eventin e rëndësishëm të modës.



















