Në një postim në Twitter Shefi ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk “po mendon” të braktisë pozicionet e tij aktuale në kompanitë që drejton dhe të bëhet një “influencer” me kohë të plotë.
“Mendoj të heq dorë nga punët e mia dhe të bëhem një influencer me kohë të plotë, si mendoni?”, shkroi njeriu më i pasur në botë.
Më pas, ai iu përgjigj edhe një ndjekësi që i sugjeroi të hapte një llogari në OnlyFans duke i thënë “Ndoshta e bëj”.
Sidoqoftë nuk është e qartë nëse Musk e ka seriozisht këtë fjali. Jo më larg se në Janar ai tha se pret të jetë shef i Tesla-s për disa vite. Për më tepër, ai është i njohur për shakatë thumbuese, të cilat, siç ka pranuar, “jo gjithnjë qëllojnë në shenjë”.
Ndërsa muajin e kaluar, ai pyeti ndjekësit e tij në Twitter nëse duhet të shesë 10% të aksioneve të tij në prodhuesin e makinave elektrike, për të cilën shumica ranë dakord. Që atëherë ai ka shitur aksione me vlerë rreth 12 miliardë dollarë.
