Dhe 2 fjalë për këtë numër special nga Drejtore e BORDO, Ilda Lumani
Është kënaqësi e madhe që përmes BORDO ju urojmë për të katërtin vit Krishtlindjet dhe Vitin e Ri! Por edhe përgjegjësi për t’ju sjellë çdo gjë utilitare në këto prag festash! Idetë dhe sugjerimet për dhuratat që do të bëni për familjen tuaj, fëmijët, bashkëshortin, bashkëshorten, mikeshat dhe miqtë, por edhe për shtëpitë tuaja, vijnë përmes markave dhe dyqaneve më të njohura në vend. ‘Look’-u festiv vjen me një mori kombinimesh, që do t’jua bëjë më të lehtë zgjedhjen tuaj për të qenë në qendër të vëmendjes në ambientet ku do të celebroni ndërrimin e viteve. Ndërkaq, dekori i shtëpisë e menutë e zgjedhura me kujdes nga Bordo, apo shefat e njohur të restoranteve Yamato dhe Padam, do të plotësojnë pazëllin e këtyre festave, të cilat pa tavolinën e zbukuruar dhe gatuar me shije nuk do të kishin kuptim!
Është privilegj për BORDO që në kopertinën e saj, të ketë heroin e këtij viti dhe jo vetëm të kinematografisë shqiptare Viktor Zhusti! Pas suksesit të padiskutueshëm në Festivalin e Filmit në Varshavë, ku filmi në të cilin ai interpreton, “Delegacioni”, u shpall Filmi më i Mirë, Zhusti ekskluzivisht ndan me ne gjithçka sa i takon rolit të tij, por edhe këtij momenti të jetës mbushur plot me sipërmarrje, teatër, kinema e prezantim, dhe jo vetëm!
Risia e këtij numri në BORDO do të jetë edhe rubrika Travel, e cila tani e tutje do të përfshijë disa destinacione gati-gati të panjohura më parë prej jush! Ajo do të fokusohet në promovimin e “100 fshatrave”, projektit të qeverisë që ka grishur vëmendjen e publikut, medias dhe biznesit! BORDO dhe Banka Amerikane e Investimeve, ABI Bank janë bërë bashkë për të sjellë më të mirën e këtyre fshatrave. Dimër në fshat…! Ku mund të shkojmë? Çfarë mund të hamë dhe çfarë mund të vizitojmë? Gjithçka për traditat dhe zakonet e 6 destinacioneve; Razëm, Shishtavec, Orosh, Fishtë, Prezë dhe Dardhë vijnë në këtë guidë tonën të parë! Çdo numër në vijim ne do të udhëtojmë në të tjera fshatra, që urojmë të zgjojnë kureshtjen tuaj dhe të kthehen në destinacione turistike në të ardhmen!
Gjithçka që ka ndodhur në kryeqytet gjatë kësaj periudhe, ekspozita pikture, ku mbërritja e pikturave të Chagall vijon të jetë një ngjarje artistike, e deri tek eventet private të bizneseve dhe individëve, mes të cilave 20-vjetori i kompanisë OLA1, janë pjesë e këtij numri të fundit për vitin 2018!
Nga Olsi, Lenci, Nada, Jolinda, Ledia, Fani, Enada dhe unë Ilda ju urojmë:
Festa të gëzuara dhe një 2019-të sa më të mbarë!



