Bukuroshja shqiptare, Almeda Abazi, që prej 11 javësh po moderon spektaklin dhe garën e kërcimit “Dancing with the Stars Albania”, këtë të mërkurë është kthyer nga Stambolli për në Tiranë, krah bashkëshortit të saj, aktorit turk Tolgahan Sayisman. Jo pa qëllim.
Jo thjesht për të vizituar për herë të parë vendin e bashkëshortes së tij. Shkak për këtë udhëtim është bërë ftesa nga produksioni i “Dancing with the stars Albania”, për finalen e kësaj së premte. Almeda dhe Tolgahan do të kërcejnë sëbashku, një kërcim dashurie. Çfarë konkretisht?
Kjo mbetet për t’u parë në natën finale. Produksioni i “Dancing with the stars” nuk zbulon shumë detaje për të ftuarin special. Dihet vetëm se finalja do të jetë jo vetëm një garë e fortë mes gjashtë finalistëve të mbetur në garë, Kristit, Landit, Amosit, Zhustit, Aulonës e Sonit, por edhe një spektakël i jashtëzakonshëm. Mes shumë të ftuarve të tjerë, nga vendi dhe bota, do të jetë edhe aktori turk Tolgahan. E premtja do të ketë të eliminuarit, por dhe fituesin e kupës e të çmimit të madh të këtij edicioni. Kush do të fitojë?
Konkurrenca në natën gjysmëfinale dukej e fortë. Kryetari i jurisë Ilir Shaqiri përballi me njëra- tjerën dy prej konkurrenteve më të forta, Sonin dhe Aulonën. A do të jenë pikërisht këto dy vajza pretendentet për çmimin e madh? Le të presim finalen e së premtes.



