Nga Olsi Kolami
Foto: Ermal Mulla
Pasi u fikën dritat e skenës së teatrit, Gentian Zenelaj del nga ‘lëkura’ e personazhit të Brindsley, por me një ndjenjë keqardhje të patreguar, sepse shfaqja “Komedia në errësirë”, nuk qëndroi më gjatë për spektatorët. Por, ai beson se emocionet do të kthehen sërish në shtator, kur pritet të ngrihet sërish sipari. Në këtë intervistë për Bordo, aktori rrëfen anën profesionale në teatër, kinema dhe televizion, detaje për familjen, veten dhe pasionet.
Në shfaqjen “Komedi në errësirë” ju besua roli kryesor një personazhi, i cili do të kuptohet dhe vlerësohet për kë është ai. Si e arrin këtë Brindsley?
Ishte një shfaqje komedi nga fillimi deri në fund. Ka qenë komedia më e vështirë, që kam luajtur në jetën time, ku përveç batutës duhej ti jepje shumë rëndësi veprimit fizik. Brindsley, personazhi kryesor, ishte strumbullari i komedisë. Autori Petter Shafer ka bërë një gjetje brilante, duke i vendosur personazhet në errësirë dhe nëpërmjet saj ata u zbuluan dhe u ndriçuan më shumë. Pra nëse do ishin në dritë do ishin kamufluar me falsitet e gënjeshtra, duke qenë në errësirë, dolën 100 përqind të gjithë personazhet e veprës. Brindsley është një personazh shumë i vështirë, një artist frikacak, i vendosur të zgjidhte rrugën e shkurtër dhe të bënte një martesë për interes, duke lënë pas jetën boheme dhe ish të dashurën. Në këtë natë Brindsleyt i ndodh gjëma e madhe: teksa pritet të vijë babai i vajzës që do të martohet, një kolonel që i urren artistët, e fejuara ime Carol që luhet nga Laura Nezha, vjen një ish, Klea, që luhet nga Eglantina Cenoimeri. Dhe këtu ndodh një lëmsh i paparë…! Brindsley hedh poshtë atë natë çdo gjë që ka vendosur me shumë mund. E fejuara i thotë: ke dy rrugë, të bëhesh dështak me famë, ose artist shumë i zoti. Brindsley këtë natë zgjedh të bëhet dështak me famë. Një dështak, i cili përmes lidhjeve të pushtetit duke u fejuar me vajzën e një koloneli, duke marrë të mira nga një multimilioner zgjedh të bëhet i famshëm pa meritë.
Kjo shfaqje mbylli për ju sezonin artistik, pas uljes së perdes çfarë ndjesie morët?
Jam ndjerë keq, për një sërë arsyesh të cilat nuk vazhdonte dot komedia. Temperaturat ishin të larta, ishte shfaqja e fundit që u vu në skenën e Teatrit Eksperimental. Verë, njerëzit duan të ikin në plazh, të dalin xhiro, edhe pse ne e mbyllëm këtë shfaqje me sallën plot me publik dhe është për të ardhur keq për këtë. Por është vendosur që shfaqja “Komedi në errësirë” të rikthehet sërish në muajin shtator për publikun në teatër.
Kë do të veçonit mes kinemasë dhe teatrit?
Kinemanë po e konsumoj përherë rrallë e më rrallë. Nuk e di për çfarë arsye shqiptarët nuk po prodhojnë më filma, ose ato që janë numërohen me gishtat e dorës. Kam një stil pune që kur zgjedh një rol dua të jetë sa më i veçantë dhe rolet në kinema të tilla i kam. Në filmin e fundit me regji nga Andi Deliana “Out of touch”, kam një rol që është komplet e kundërta ime. Një njeri i dhunshëm, i korruptuar. Luajta një personazh, ku 100 përqind nuk jam ai. Si aktor më pëlqejnë sfida të tilla. Kinemaja në Shqipëri është në grahmat e përpëlitjes. Bëj shpesh pyetjen: pse e kanë kaq problem regjisorët të bëjnë filma komedi. Do të kisha qejf të luaja në film komedi, por dhe dramë sigurisht. Jemi duke u keqkuptuar me kinemanë autor. Nuk duhet të bëjmë filma që të shkojmë në festivale, por filma që ti shikojë publiku.
Identifikoheni për humorin, si arrin Genti të kornizohet në rolet serioze?
Nuk e përcaktoj dot, që duke qenë se kam mbaruar studimet në Akademinë e Arteve si çdo koleg i imi në tregun artistik për mua është një mision që marr përsipër. Mund të jetë dramatik, komik, tragjikomik nuk ka rëndësi. Unë vazhdoj të mendoj, që humori është një zhanër shumë i vështirë.
Pse e mendoni kështu?
Them që humori është zhanër i vështirë, sepse të kondicionon të kesh një energji solare pozitive, të cilën nuk është kollaj ta gjejnë njerëzit brenda vetes në këtë ditë ku jetojmë. Për artistët jeta në Shqipëri është e vështirë. Të gjesh energji pozitive për të bërë komedi, nuk është vetëm tek batuta e bukur por dhe te energjia pozitive që transmeton. Këtë kanë personazhet komedi. Janë si vatra zjarri të vogla që transmetojnë ngrohtësi, jetë, energji pozitive. Ky është sekreti për të luajtur komedinë.
Ju shoh shpesh në debatet e artistëve mbi institucionet dhe politikat mbi teatrin, çfarë ju duket më shqetësuese për ju aktualisht?
Për teatrin më shqetëson gjithçka ndodh. Më shqetëson që artistët kanë humbur vendin e tyre në shoqëri. Ka arsye pse në kohën e diktaturës quheshin vija e parë e propagandës. Sigurisht që janë përdorur për propagandë, por duhet të marrim themelin e kësaj. Artisti është në ballë të çdo lloj lëvizje, të çdo lloj proteste apo grupimi shoqëror. E them këtë, sepse artistët janë njerëz të cilët jetojnë mes kulturës, janë intelektualë. Njerëz që e kanë përfaqësuar denjësisht emrin e Shqipërisë në botë, përfaqësojnë kulturën shqiptare. Janë njerëz me një mendim të lirë të cilët mund ti prishin punë çdo lloj regjimi dhe qeverisje. Kjo është arsyeja pse vazhdimisht qeverisjet tentojnë ti blejnë dhe ti fusin brenda grupimit të tyre. Insistoj që artistët të jenë të lirë, jashtë mendimit ideologjik, dogmës, të lirë si në jetën e tyre private.
Çdo mbrëmje në ekran, a ju lodh ky angazhim paralelisht në teatër dhe kinema?
Nuk më lodh aspak. Emisionin “Stop” e bëj me kënaqësinë më të madhe. Edhe tani jam në prova me një tjetër shfaqje e cila titullohet “Stjuardesat” me regji nga Kiço Londo. Aq më tepër që në shtator-tetor pres të dal me një projek,t të rëndësishëm që mezi po e pres, me regji nga Inis Gjoni, ku jam bashkë me Romir Zallën. Duke pasur pak kohë të lirë kam vendosur ta shfrytëzoj me teatrin dhe po punoj shumë.
Çfarë e çlodh Gentin kur shkon në shtëpi pas një dite të gjatë?
Më çlodhin fëmijët e mi. Më çlodh kur shikoj që në Shqipëri po ndodh diçka e bukur, nëse ndodh. Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me ndërtimin e një shatërvani, ka të bëjë dhe me emocionet pozitive, që unë mund të marr gjatë ditës. Ndjehem shumë i lumtur kur gjatë emisionit bashkë me kolegun Saimir Kodra kemi zgjidhur problemin e një njeriu dhe kemi ndihmuar një të varfër. Këto ma mbushin zemrën me jetë, energji pozitive.
Ju njiheni për humorin, por a ka një person që ju bën ju për të qeshur?
Sigurisht. Jam natyrë që qesh shumë me humorin e të tjerëve, jam natyrë e çelur. Nuk mendoj që jam qendra e botës. Mendoj që jam një djalë që fati e ka ndihmuar shumë dhe zoti më ka bekuar. Më ka ndihmuar me kolegë të mrekullueshëm, me një punë të cilën unë e bëj me qejf. Ditën që do të mendoj që jam i vetmi në këtë dynja dhe mendoj që jam i vetmi që bëj humor atë ditë për mua mbaron. Mua më bëjnë për të qeshur të gjithë aktorët, artistët, të cilët dinë të bëjnë për të qeshur dhe të jenë origjinalë.
A keni një idhull në jetë, një model që ja vlen të ndiqet?
Kam shumë artistë që i kam mentorët e mi, edhe politikanë, intelektualë. Kam mentor babain tim që është mekanik. Mënyra se si ai e ka ndërtuar jetën dhe ka ecur përpara. Mentor për mua është kolegu im Saimiri, i cili ka ditur të më orientojë në rrugën e emisionit investigativ. Marr gjithmonë nga njerëz të cilët janë të aftë në jetë dhe kanë çarë me forcat e tyre. Kam marrë nga Adi Krasta, Ardit Gjebrea, Altin Basha, Mario Ashiku, etj. Jam munduar gjithmonë të marr, sepse ka një arsye pse ata janë gjithmonë aty ku janë. Kjo do të thotë që kanë arritur në jetë dhe janë të suksesshëm. Sadopak të marr nga ata, në kuptimin e mirë të fjalës, të marr shembuj, për mua është një plus.
Ju jeni i apasionuar pas kuzhinës, çfarë pjatash gatuan në familje apo për miqtë?
Rrallë herë e gjej kohën të ulem dhe gatuaj vetë. Unë merrem me fëmijët, ndërkohë që ime shoqe gatuan. Jam me shumë fat dhe pak i llastuar pasi mamaja jeton afër meje dhe vijoj të ha nga pjatat e saj. Jam në aspektin e degustatorit, jo kuzhinierit.
A nuk shqetësoheni për kilet e tepërta? Ndiqni ndonjë dietë?
Aktualisht jam në një dietë. E dini çfarë ndodh? Njerëzit që mbajnë dieta më duket sikur kanë shumë kohë për të menduar. Pasi kam bërë një ditë pune te “Stop”, kam kaluar orë në prova, jam marrë me fëmijët, e vetmja gjë që nuk më shkon në mend është sa kalori po marr. Sigurisht që jam i shqetësuar për kilet e tepërta. Po bëj një tentativë. Por e dini çfarë, jam rehat me veten time. Pse duhet të dobësohem, sepse thonë të tjerët. A jam pozitiv me veten time? Ne po bëjmë selfie për të tjerët, po hedhim statuse për të tjerët, duhet të dobësohem dhe për të tjerët, më lini të jetoj jetën time. (qesh)
A keni menduar ku do të shkoni me pushime?
Kam frikë se do mbetem pa pushime këtë vit. Me bashkëshorten kemi vendosur të bëjmë disa investime në shtëpi, sepse fëmijët po rriten. Do kem lodhje dhe do të jenë pushime me disa bojaxhinj në shtëpi duke bërë muhabet. (qesh). Fundjavat i kam totalisht për familjen. Shqipëria për momentin është rrëmujë. Vlora është e tillë, Shëngjini po ashtu. Nuk dua të shkoj për pushime e të gjej rrëmujë. Kam një apartament në Vlorë dhe po më kthehet në stres ai trafik atje. O zot them pse duhet të kthehen në stres pushimet. Dua të bëj pushime të relaksohem. Në momentin kur jam mirë me jetën time dhe dy ditë në fundjavë i shijoj në maksimum me familjen, nuk e mendoj se është dhe shumë i rëndësishëm ai 7 ditësh që mund të bëj në një hotel në Turqi, ku zhdëpemi duke ngrënë e pirë. Unë e kam marrë në aspektin, shijo çdo moment. Çdo moment mund të jetë për të bërë pushim, për të shijuar jetën dhe për të qenë pranë familjes.
Intervista është botuar në revistën BORDO në muajin Gusht




