Ditën e enjte më 9 shkurt fillon Festivali i muzikës klasike Different Trains. Prej 6 vitesh ky festival ka sjellë në skenën shqiptare muzikantë shqiptarë dhe të huaj të një niveli shumë të lartë si Tedi Papavrami, Klaidi Sahatçi, Dorian Xhoxhi etj.
Publiku shqiptar që e do dhe e vlerëson muzikën e mirë e ka ndjekur që në edicionin e parë dhe në vazhdim. Festivali për këtë vit hapet me koncertin e datës 9 shkurt, në sallën e Katedrales Ortodokse, ku në skenë do jenë pianistja e mirënjohur Merita Rexha Tërshana, çelisti Vlorent Xhafaj dhe flautisti francez, Loïc Schneider, një nga flautistët më të mirë sot në skenat europiane.
Në program do luhen vepra nga Schumann, Schubert, Farrenc dhe Martinu. Koncert për të mos u humbur për të gjithë dashamirësit e muzikës klasike.


