Gjithçka duket gati për koncertin e sotëm, ku do të performoj artistja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha. Madje edhe punimeve për ngritjen e skenës, është duke iu dhënë dora e fundit, ndërkohë që ajo ka mbërritur mbrëmjen e djeshme në aeroportin “Nënë Tereza”, ku i është rezervuar një pritje e ëmbël dhe plot me dashuri nga fansat e saj. Ato e kanë pritur me buqeta me lule dhe i kanë kërkuar të bëjnë foto me të. Sigurisht, këto momente Bebe i ka ndarë në Snapchat dhe profilet e tjera të saj në rrjetet sociale. “Sapo mbërrita në Shqipëri. E lumtur për performancën e nesërme. Sheshi “Nënë Tereza”, 9 shtator”, ka shkruar ajo.
Gjatë momentit të pritjes në aeroport shihet edhe vajza e vogël e kryeparlamentarit Ilir Meta, e cila përveçse është një fanse e muzikës së Bebes, i bashkojnë edhe lidhjet familjare. Sikurse kemi shkruar edhe para pak kohësh, nga burimet e saj Bordo mësoi se Bebe Rexha dhe nëna e Erës, Monika Kryemadhi janë kushurira të afërta. Kështu që nuk kishte sesi të mungonte në një moment të tillë!
Teksa ka qenë duke udhëtuar nga aeroporti drejt Tiranës, këngëtarja me origjinë shqiptare shihet duke i mësuar bashkëpunëtorëve të saj këngën “Xhixhile moj xhixhile”.
Koncerti do të mbahet sot në orën 19:30 në sheshin “Nënë Tereza” dhe hyrja do të jetë e lirë!
