Nga Olsi Kolami
As që do ta kisha menduar ndonjëherë se Shkodra, kryeqendra e Veriut, e njohur më shumë për humorin e hollë, talentet e muzikës dhe sportit apo nuancat e dukshme të kulturës italiane, sidomos maskat e famshme veneciane, do të fshihte diku mes lagjeve të saj, një tjetër ‘thesar’. Një dyqan dedikuar ekskluzivisht papioneve. Gentian Demolli, një djaloshi ri, as që do ta kishte menduar 3 vjet më parë se jeta e tij do të lidhej pazgjidhshmërisht me një aksesor kaq elegant si papioni, i cili i ndryshoi kryekëput ditët dhe zakonet e 24-orëshit të tij. Pasi kishte arritur të mbante në duar disa ‘flutura’ shumëngjyrëshe që i kishte dhuruar një miku i tij, nuk u mendua dy herë, por besoi thuajse verbërisht se papionet ishin jo vetëm një botë e paeksploruar ende, por edhe një dashuri e cila do të rritej përditë bashkë me të. Sot, pas tre vitesh eksperience, por edhe suksesi, ‘Shkodra’s Papion’ është një biznes familjar i drejtuar nga ai, e ëma dhe i vëllai, që i dedikohet totalisht dizenjimit dhe prodhimit të papioneve.
Teksa përkëdhel me duar një pafundësi papionesh shumëngjyrëshe, Gentiani kujton se 3 vjet më parë, një takim thuajse i papritur, do ta bënte të njohur jo vetëm atë, por edhe Shkodrën për një risi në botën e modës. Sigurisht, nuk ishte një zgjim nga ata që bëjnë sa hap e mbyll sytë krijues papionesh, pasi destini e kishte çuar të takonte një mjeshtër të vërtetë, i cili shërbeu si frymëzim. “Kam qenë në një udhëtim pune në Rumani. Aty rastësisht jam njohur me një dizenjues rumun shumë të talentuar. Ai më tregoi modelet bazë për të krijuar një papion. Në momentin që jam kthyer, vendosa ta zhvilloja këtë projekt të ri edhe në Shkodër”, – rrëfen për BORDO, krijuesi i të vetmes atelie papionesh në Shqipëri. Fakti që ishte një ‘ishull’ thuajse i paprekur, qe një arsye më shumë, por edhe sfidë, që Demolli të fokusohej fort në këtë projekt, i cili u kthye në një biznes që rrëmbeu jo pak vëmendje, fillimisht nga të rinjtë shkodranë që zbukuronin veshjet elegante me papionet klasikë, por edhe shumëngjyrësh, derisa magjepsja pas këtij aksesori u kthye në domosdoshmëri, moment kur kërkesat nisën të vinin edhe përtej hartës së qytetit verior.
Si krijohet një papion?
Një shirit prej mëndafshi, pambuku, poliestre, stofi, madje së fundmi edhe prej druri, mund të shndërrohet në një aksesor elegant për të zbukuruar veshjet e meshkujve, por jo vetëm. E kuptuat besoj që duket kaq e lehtë të krijosh një papion. E në fakt, gaboheni. “Në pamje të parë duket shumë i thjeshtë. Por si çdo punë tjetër, kërkon kohën dhe impenjimin e duhur. Si fillim interesohemi për tendencat e fundit, ngjyrat dhe modelet e copave. Pastaj bëhet përcaktimi për cilat modele do të punohet”, – shpjegon themeluesi i’ Shkodra’s Papion’. Gjithçka nuk mbaron me dizenjimin dhe krijimin. Siç shpjegon Gentiani, duke qenë se jo çdo tendencë ndiqet në Shqipëri, në atelienë e tij punohet duke shfletuar katalogë pafund, në mënyrë që papionet që krijojnë të përshtaten me ambientin, por edhe preferencat e klientëve. Ndryshe nga shumë papione që mund të blini në dyqane, ato që prodhohen këtu janë të gjithë të realizuar me dorë, një proces ky i cili kërkon shumë kohë dhe përkushtim. “Si çdo biznes mode, ne krijojmë linjën tonë të papioneve, të cilën e hedhim në treg 2 ose 3 herë në vit. Sigurisht, pranojmë edhe porosi nga klientët. Përveç modeleve të thjeshta, njëngjyrësh apo me dizenjot që ka copa, pranojmë edhe porosi për papione me dedikim ose dizenjot të cilat i kërkon klienti”.
Fakti që është i ri, i ka dhënë dorë që krijimet e tij të jenë të pafundme, edhe pse mund të duket se ky aksesor është gjithmonë i njëjtë në dukje. Në ‘Shkodra’s Papion’ mund të gjesh forma dhe ngjyra të panumërta. Gentiani, i cili pjesën më të madhe të kohës punon me familjarët, të ëmën dhe vëllanë, eksploron për modelet e reja, qoftë në formë apo madhësi, e deri në kombinimin e copave me njëra-tjetrën. Kjo, sepse edhe papionet janë pjesë e tendencave, përpos iluzionit që mund të kemi krijuar se në dukje ato janë njësoj, siç ndodh të shohim ato klasiket e zeza. “Edhe papionet kanë tendencë. Përveç atyre klasike, të cilët preferohen gjithmonë, pak kohë më parë kanë qenë tendencë papionet me dizenjo ushtarake, xhins apo me copë lëkure, ndërsa aktualisht janë ato prej druri. Këto të fundit janë një risi edhe për ne, që për momentin nuk e kemi aplikuar akoma, duke qenë se kërkon mjetet e duhura për t’i punuar”, – shpjegon Gentian Demolli.
E duke qenë se si biznes i ri, por edhe një aksesor jo aq i zakontë mode, nuk është e lehtë që të krijosh një klientelë e cila zgjedh çdo ditë një papion, fillimi nuk ka qenë e lehtë. Kjo, sepse eleganca e këtij aksesori e bën të jetë unik, për raste po aq unike. Të rinj shkodranë zgjodhën të parët të promovojnë krijimet e Demollit përmes veshjeve elegante, duke i përdorur si qershia mbi tortë në raste festash, mbrëmje maturash apo ato gala, dhe përmes editorialeve fotografike. “Në fakt, modelët e rinj kanë qenë promovuesit më të mëdhenj të punës tonë. Kemi pasur kërkesa, si nga djemtë ashtu edhe nga vajzat, disa prej tyre janë klientë besnikë të punës sonë”. Ndoshta mes personazheve VIP që keni parë, jo vetëm në Shkodër, por edhe në Tiranë, disa papione janë krijuar pikërisht në këtë atelie, ku biznesmenë apo artistë të njohur kanë trokitur për të zgjedhur këtë aksesor. Një prej tyre është DJ Elektra,e cila ka kërkuar një papion me dizenjo të krijuar nga ‘Shkodra’s Papion’,
Me çfarë ta kombinoj?
Sport, casual apo klasik: Me çfarë kombinohet një papion? Përgjigjja duket e thjeshtë, sepse të gjithë do të mendojnë: me veshje klasike. Por, në fakt gaboheni. Krijuesi shkodran, Gentian Demolli jep disa sugjerime për lexuesit e BORDO, duke theksuar se sekreti është te mënyra sesi kombinojmë papionin me veshjen. “Është e vështirë t’i tregosh në distancë një klienti se çfarë të veshë, andaj gjithmonë duam të kemi një kontakt viziv me ta, për të kuptuar se cilat ngjyra i përshtaten”. Gentiani, që është tani edhe një konsulent mode, sidomos për pjesën e kombinimit të papioneve, pohon se në përgjithësi ato vishen me këmisha, ndërsa për ata që janë të pasionuar pas modës dhe preferojnë të eksplorojnë, mund t’i veshin edhe me bluza me jakë të tipit “Polo”. “Çdo njeri mund të veshë papione në raste festash, por edhe përditshmëri. Koncepti që papioni përdoret vetëm në evente gala është i gabuar. Papioni është një aksesor, i cili i shton klas dhe e bën më të veçantë veshjen tuaj”, – përfundon Gentian Demolli, krijuesi i ‘Shkodras’s Papion’.
Zanafilla e papionit?
Papioni u shfaq për herë të parë në qafat e mercenarëve kroatë, gjatë luftërave prusiane të shekullit të 17-të. Ata i mbanin rreth qafës, duke zbërthyer dy butonat e parë të këmishës. Përdorimi u bë masiv gjatë shekullit të 18 dhe 19, si aksesor mode për burrat e klasës së lartë në Francë.
Ushqime në mikrovalë ? Ja rreziqet që sjellin!
Mos konsumoni pije me gaz!
Lojra Olimpike nën ritmin e sambas
Përbërësit e dëmshëm në produkte kozmetike
Le të fillojnë Lojrat e modës!
Si të kuptoni kur dikush ju gënjen
9 modelet që nuk plaken kurrë!
Kanotierja, kapelja verore e vajzave të stilit
