Nga Nada Biraçi
Fotografia: Andis Rado
Veshjet: HUGO Teg
E përditshmja e saj është një turravrap që duket se s’ndal asnjëherë. Aulona Musta është nënë dhe bashkëshorte, ka një karrierë të suksesshme në media, e po aq suksesshëm aderon edhe në bizneset e saj e në këtë polinom përgjegjësish, ajo pranon për “Bordo” se të arrish balancën është pothuajse e pamundur. Aulona është nga ata personazhe të njohur që i shfaq fare hapur të gjitha ngjyrat e përditshmërisë së saj; nga postimet pa filtra, detajet e jetës private, stilin e saj të mëmësisë, marrëdhëniet me mikeshat e zemrës, e deri te këmbëngulja për të ‘edukuar’ çdokënd që e ndjek me një jetesë të shëndetshme. Sipërmarrësja e njohur e ka pranuar se të qenit person publik vjen me një faturë urie nga publiku, për të ditur shumëçka nga jeta e saj private, kompromis që e ka pranuar me kënaqësi, ama lirinë e palogjikë që shpesh ndjekësit kanë për të fyer apo denigruar me komente aspak etike, Aulona përpos se e ka të pamundur ta justifikojë, nuk do t’ia përtojë asnjëherë t’i japë reston përmes stuhish shpotie çdo ‘guximtari’ që fshihet pas një profili fals.
Përpos impenjimeve si grua biznesi, për publikun që ju ndjek nga ekrani do të jeni sërish në “Natën me Aulonën”. Programi do të ketë të njëjtën natyrë, apo ka edhe risi?
Po, “Natën me Aulonën” do të jetë njëjtë si sezonet e kaluara, sepse tashmë ka krijuar një identitet të vetin si format dhe unë mendoj që nuk është momenti për të bërë ndryshime. Unë ndihem mirë, të ftuarit ndihen mirë, drejtuesit ndihen mirë. Megjithatë kemi menduar të sjellim një rubrikë të re, që besoj do të pëlqehet mbi të gjitha për mesazhin që do të përcjellë. Përtej personazheve të suksesshëm, showbiz-it, sukseseve, dramave, ngjarjeve më të fundit nga jeta e artistëve, që përbëjnë dhe thelbin e “Natën me Aulonën”, mendoj se audienca ka nevojë edhe për mesazhe të rëndësishme jetësore, mesazhe force, lindje dhe rilindje dhe kjo rubrikë e re, e tillë do të jetë.
Cili është programi që shihni më me shumë dëshirë në ekranet shqiptare (përveç atij që moderoni vetë)?
“Dancing With The Stars”, e dashuroj! Për mua formati më i bukur i ekraneve shqiptare. Mbase ngaqë kam qenë konkurrente dhe për mua ka qenë eksperienca më e bukur televizive, që edhe sot kur e kujtoj më emocionon. Mbase ngaqë dashuroj kërcimin. Ka shumë arsye përse e dua atë format. Më erdhi keq kur mora vesh që nuk do të bëhet më.
Ka emisione në ekranet tona që sipas jush, nuk meritojnë asnjë minutë transmetim?
Jo, nuk mendoj që ka emisione që nuk meritojnë asnjë minutë transmetim. Mendoj që ka personazhe që nuk meritojnë asnjë sekondë transmetim.
Cili/ët?
Të gjithë ata\ato që dalin me statusin e moderatorit, apo gazetarit\es ndërkohë që nuk dinë të artikulojnë një fjali nga fillimi në fund.
Impenjimi mediatik për të cilin keni ambicie dhe ende nuk e keni bërë, cili do të ishte?
Shiko, do të tregohem e sinqertë, për momentin ambiciet më të mëdha që kam lidhen me bizneset e mia. Në media kam patur eksperienca shumë të bukura dhe të rëndësishme, kam thyer herë pas here tabu, që me “Kafazin e Artë”, e për të vazhduar me “Thumbin”. Ka patur një moment kur kam menduar të shkëputem, sepse ndihesha e lodhur dhe s’më motivonte, por kuptova që pavarësisht të gjithave, median dhe televizionin e dua. Ama prej disa vitesh, ambiciet e mia më të mëdha, siç e thashë nuk lidhen më me median. Mbase është edhe mosha, mbase është edhe fakti që televizioni është i bukur, por s’të bën të pasur, ndërsa sipërmarrjet personale po, prandaj dhe fokusi është më së shumti i fokusuar atje.
Zakonisht intervistat bëhen për të diskutuar sukseset; por harrojmë se sukseset krijohen në prapavijë të dështimeve tona. Çfarë konsideroni si dështim në karrierën tuaj; dhe cilat janë mësimet që keni marrë?
Nuk dua të dukem si jo modeste, por nuk kam patur asnjë dështim deri më sot. Unë vërtet thashë që jam person që më pëlqen të thyej tabu, por nga ana tjetër jam njeri që nuk më pëlqen të rrezikoj, zgjedh të shkoj tek e sigurta dhe i peshoj mirë vendimet përpara se t’i marr, kështu që çdo gjë që kam bërë, si në media, si në biznes këto vitet e fundit më ka rezultuar e suksesshme dhe nuk jam penduar në asnjë moment për asgjë që kam bërë.
Lirinë e palogjikë që shpesh ndjekësit në rrjete sociale i japin vetes për të dhënë mendimin e tyre krejt të pa filtruar, Aulona duket se e trajton si formë argëtimi.. Por jo çdokush e ka këtë forcë karakteri. Si ish-studente e psikologjisë, si e shpjegoni ju këtë fakt?
Karakteri është pak gjenetik, pak ndikim i mjedisit e rrethanave e pak punë e vetëdije për atë që ti do të jesh e të bësh në jetë. Dhe unë gjithmonë kam dashur të jem një grua e fortë dhe me vetëbesim, prandaj kam punuar shumë në këtë pikë dhe ja kam dalë të jem siç doja. Familja ku jam rritur, që më kanë lënë gjithmonë të lirë të bëj zgjedhjet që dua, nuk më ka ndrydhur kurrë, më kanë stimuluar gjithmonë vetëbesimin, kanë qenë patjetër një ndikim shumë i madh. Librat që kam lexuar, dijet që jam përpjekur të marr në forma të ndryshme për t’u rritur e zhvilluar sa më shumë si njeri, po ashtu kanë luajtur rolin e tyre të rëndësishëm. Pra, unë zhvillimin tim personal, fizik, mendor, emocional nuk e kam lënë në dorë të rastësisë, apo të rrethanave, por kam punuar për të.
Me apo pa vetëdije, grave u ndodh që e gjejnë veten të prindërojnë njësoj si nënat e tyre. Me ju ka ndodhur?
Po, më ka ndodhur patjetër dhe nëse për shumë gjëra e kam shembull prindërimin e nënës sime, sepse falë saj dhe shembullit që më ka dhënë, mendoj që kam arritur shumë nga gjërat në jetë, për disa të tjera jam munduar shumë që të mos të jem si ajo, si për shembull të jem pak ‘easy going’ dhe t’i marr gjërat më lehtë në lidhje me Amarën. Kur ka qenë e vogël dhe rrëzohej apo vritej, unë nuk vrapoja të bëja “obobo, u vra goca, ç’na gjeti” apo të bërtisja, të qaja, të bëja panik. Përkundrazi mundohesha ta kaloja si një gjë normale, edhe do biesh, edhe do vritesh, por do mësohesh të çohesh. Edhe për mësimet përpiqem të jem pak më tolerante dhe mos t’ia nxi jetën siç ma nxinte mami mua, që më pyeste mësimet deri në vit të katër gjimnaz (qesh).
Thuhet se në një marrëdhënie, dashuria merr forma të ndryshme; ç’formë ka kjo e juaja në këtë periudhë?
Të aventurës nëpër botë.
Marrëdhënia juaj në çift duket ‘vaj’ të paktën nga Instagrami…Por ne duam të dimë rreth asaj që nuk shohim. A grindet Aulona dhe Tomi?
Oj të grindur! Jo çdo gjë shkon vaj, kemi dhe ne momentet tona të vështira, të inatit, të grindjeve, etj.
Cila është arsyeja e zënkave në çiftin tuaj? Zakonisht sa zgjat mëria dhe cili e bën hapin i pari drejt pajtimit?
Ne, edhe pse dukemi shumë të ngjashëm në Instagram, në fakt jemi persona shumë të ndryshëm. Këto ndryshime na çojnë shpesh në keqkuptime, apo mendime të kundërta për situata të ndryshme, të cilat jo gjithmonë zgjidhen me komunikim paqësor dhe tone të ulëta, si për shembull, më i fundit, nëse Amara do shkojë dy apo tri herë në boks gjatë javës. Një debat në dukje i parëndësishëm, por që përfundoi me goxha sherr (qesh). Në përgjithësi jam unë ajo që bëj hapin e parë drejt pajtimit. Kjo është një tjetër gjë ku ne të dy ndryshojmë shumë. Unë kam tmerr të mbaj inat, jam person që dua t’i lë gjërat të shkojnë, të mos ngec në një sherr apo debat. Ç’u bë, u bë, ç’u tha, u tha, vazhdojmë para. Tomi këtë se kupton dhe ka qejf të bëjë pak dramatikun. Por është Gaforre, jam mësuar tashmë me këtë fakt.
Jeni nënë dhe bashkëshorte, keni një karrierë të suksesshme në media, e po aq suksesshëm po aderoni edhe në biznes! Në ç’mënyrë arrini ta menaxhoni kohën? Dhe cili është prioriteti në këtë trinom përgjegjësish për Aulonën?
Prioriteti varet nga periudha. E sigurt është që sado të përpiqem nuk ka asnjëherë një balancë, gjithmonë një detyrë do të mbizotërojë mbi tjetrën, gjithmonë në varësi të periudhës dhe prioritetit që mund të ketë. Ama di të them që gjithmonë kam patur dhe kam një ndihmë shumë të madhe, duke nisur nga bashkëshorti që ka qenë gjithmonë shumë prezent për të ndarë detyrat dhe përgjegjësitë në familje, e po ashtu edhe nga prindërit e mi dhe të Tomit, që kanë qenë një ndihmë e jashtëzakonshme, që unë të kem mundësi të mbaj shumë kunguj nën një sqetull, pa i hedhur.
Bullizmi apo problemet e shëndetit mendor janë tema që po trajtohen në botë çdo ditë e më shumë nga personazhe të njohur VIP, edhe ju shpesh i trajtoni në rrjetet sociale. Ju vetë keni patur periudha të tilla?
Për fat të mirë jo. Edhe pse gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës time kam qenë një vajzë e ndrojtur dhe e turpshme, por duke qenë se kam qenë gjithmonë pjesë në grupin e nxënësve të mirë, senatore e klasës, etj., kam qenë gjithmonë pjesë e grupeve ‘in’ të klasës dhe shkollës dhe nuk kam ndjerë ndonjëherë bullizëm, apo mospranim nga të tjerët.
Një temë tjetër që po diskutohet fort këto kohë janë edhe ngacmimet me natyrë seksuale në vendin e punës. Ju jeni gjendur ndonjëherë përballë një situate të tillë?
Dhe sa mirë që po flitet dhe akoma më shumë duhet të flitet. Për fat të mirë jo, nuk kam pasur episode të tilla. Mbase kam qenë me fat, sepse kam punuar me burra të jashtëzakonshëm, të cilët duhet ta themi që ekzistojnë, sepse jemi mësuar të dëgjojmë kaq shumë për këtë të “këqijtë” e të “poshtrit” e medias dhe jo vetëm të medias në fakt, saqë harrojmë të përmendim, edhe ata profesionistët e vërtetë që po ashtu media i ka me shumicë.



















