KreuArt

Ilda Lumani: Ky X Factor, më uniku!

Ilda Lumani: Ky X Factor, më uniku!

Vetëm pak ditë na ndajnë, para se ‘talent show’ “X Factor” të mbyllë perden e këtij edicioni. Ilda Lumani, skenariste e këtij show tregon për “Bordo” sfidat dhe përjetimet e bukura të këtij rrugëtimi disamujor, teksa zbulon disa sekrete nga nata finale.

Ilda, ju keni qenë dhe në programet e shkuara të “X Factor”, çfarë ka ndryshe ky edicion?
Ky edicion ka një gjë që ndryshon tërësisht nga edicionet e kaluara, konkurrentët! Këtë nuk e kam në mënyrë ironike, por në faktin, se konkurrentët e vitit 2023-2024 kanë ardhur të përgatitur, janë të rinj që e kanë sprovuar veten, nuk vijnë nga të kënduarit në dhomë dhe dalin në skenë. Përkundrazi! Janë të rinj që e kanë zhvilluar talentin e tyre, duke marrë mësime, kanë marrë pjesë në konkurset dhe ‘talent show’ të moshës, kanë realizuar cover-a të ndryshëm, kanë kanalet e tyre në YouTube, kanë kënduar në net ‘live show’, pra janë përgatitur! Nga ana tjetër, mungesa e të tillë kompeticioneve kishte krijuar një brez të ri, që ishte gati për të shpërthyer. Rezultati ka qenë i dukshëm. Të 16 finalistët e këtij edicioni, kanë qenë të pakontestuar dhe tejet të pëlqyer nga audienca.

Në rolin e skenaristes, çfarë e bën të veçantë këtë herë punën tuaj?
Muzika është kaq frymëzuese, sa çdo moment, është një histori më vete; është historia e muzikës, e këngës, e këngëtarit, e personazhit; Është jeta reale e artistit në skenë, ajo në pas skenë me emocionet, pasiguritë, të papriturat, surprizat, është marrëdhënia me jurinë; është një rrugëtim shumë i bukur natë pas nate! Në fakt tepër i bukur!
Kaq shumë talente, po për ju, cilët kanë qenë surprizat e këtij edicioni?
Surprizë kanë qenë disa konkurrentë, për të cilët kam menduar që do të jenë pak javë në program, por që janë rritur artistikisht, sa jemi në prag gjysmëfinale dhe ata janë pretendentë, edhe për të fituar! Nga ana tjetër, Adi Krasta ka qenë një surprizë. I vendosur për herë të parë në këtë rol, Krasta ka dëshmuar përtej bagazhit të vet artistik, edhe një qasje interesante për të thënë gjërat, për të komentuar, vlerësuar, kritikuar po aq në mënyrë të drejtpërdrejtë, por aq edhe të argumentuar, duke bindur edhe kundërshtarin e tij, më të fortë! Elhaida Dani për mua është një vlerë, që është në jurinë e “X Factor”. Ndërsa Arilena Ara, një dëshmi se çfarë prodhon “X Factor”. Dikur një talent, fituese e “X Factor”, sot gjyqtare e tij! Young Zerka, versioni më i dashur i publikut për një anëtar jurie, që me batutat origjinale i ka dhënë një vibe kaq të dashur, duke çmitizuar jurinë e rreptë, me të cilën jemi mësuar shpesh!

Ilda Lumani: Ky X Factor, më uniku!

“X Factor” ka sjellë zëra të bukur, por edhe histori interesante, do të veçonit dikë prej tyre dhe pse?
Dramat personale të konkurrentëve janë ato që prekin gjithmonë, por personalisht do të veçoj një histori frymëzuese, siç është ajo e Alis, që nga pianist në restorantin “Mrizi i Zanave”, erdhi në audicione me një modesti dhe shpresë, thjesht të arrijë në finale. Ëndrra e tij është të lërë Shkodrën, investimin e tij në pedagogji muzikore dhe të vendoset në Tiranë e të bëhet një artist i skenave të së ardhmes! A nuk është kjo ëndrra e çdokujt?! Të arrijë diçka me jetën e tij në kryeqytetin shqiptar!
Sërish skenariste në programet e dyshes Grabocka-Vejsiu, si është të jesh pjesë e këtyre produksioneve?
Është një eksperiencë, jo thjesht e vlefshme! Është fat të punosh pranë themelueses së spektakleve shqiptare, por edhe një njeriu kaq inovator, që vrapon para me kohën për të zbuluar, përqafuar gjithë teknologjinë dhe risitë digjitale, duke sjellë perfeksion në çdo performancë, në çdo detaj, në çdo natë spektakle unike. Flas për VERËN! E cila është frymëzimi më i madh, për të gjithë stafin e “X Factor”, për konkurrentët, për jurinë, për të gjithë ne, që çdo ditë na ngulitet në mendje, se asgjë nuk bëhet pa punë! Suksesi i çdo gjëje vjen si pasojë e një pune kreative, që nis në shënimet e Iphone dhe përfundon në ekranet e shtëpisë, ku, publiku duartrokitjen e tregon duke na ndjekur! Me Alketën, si dy vajza të së njëjtit brez ndajmë mendime dhe qasje herë të njëjta e herë të kundërta, por ky bashkëveprim, është kaq interesant dhe rritës për të dyja ne, sa mendoj që në këtë fazë të marrëdhënies sonë, kuptohemi për çdo gjë pa folur fare! Natyra ambicioze e Alketës është një karikim i mirë, për të mos u vetëmjaftuar kurrë. Dhe për ta mbyllur, të punosh me Verën dhe Alketën asnjëherë nuk është njësoj. Sepse dhe formatet, nuk janë njësoj. Sapo të mbarojmë “X Factor”, ne nisim transmetimin e një tjetër formati të dashur, siç është “Në Kurthin e Piter Pan”. Pa asnjë të premte, pushim në transmetim. Besoj se kjo nuk ndodh në asnjë produksion tjetër. Kjo garë me veten, është sfida e çdo njërit në këtë produksion unik!
Mezi po presim finalen, a ka ndonjë surprizë që mund të zbuloni?
Finalja e “X Factor” është më 19 prill dhe emocioni është te të gjithë, që nga publiku që ka nisur me rezervimin e vendeve. Në skenë, ajo që do të shihni janë padyshim interpretimet më të mira të finalistëve gjatë këtij udhëtimi, ndërsa momente spektakli do të jenë duetet me anëtarët e jurisë. Të tjerat do t'i themi në ekranin e televizionit Klan live, në orën 21:00 të premten, datë 19 prill!

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF