KreuStil Jetese

Ekskluzive/ Endrik Beba i thotë të gjitha: Nga lidhja me të birin te partnerja aktuale!

Ekskluzive/ Endrik Beba i thotë të gjitha: Nga lidhja me të birin

Nga Anita Aliaj 
Fotografia: Leo Arapaj 

 

Duket se Endrik Beba është rikthyer në muzikë për të mos u ndarë më prej saj. Prej më shumë se 3 muajsh, këngëtari është pjesë e “Urban Band”. Në këtë intervistë me “Bordo”, Endrik Beba rrëfen se si u bë pjesë e këtij band-i, si po shkon marrëdhënia me anëtarët e grupit, teksa nuk nguroi as të zbulojë projektet e ardhshme. Shfaqjen e parë së bashku ata e patën në edicionin e 61-të të “Festivalit të Këngës”, ku morën pjesë me këngën “Në çdo hap”. Endrik tregon se prej aty dolën jo pak të zhgënjyer pasi për befasi të tyren ata u renditën në kategorinë “New Artist”, edhe pse prej 10 vjetësh janë pjesë e muzikës. Endrik Beba shprehet se këtë kafshatë ai ende se ka kapërdirë. Ndërkohë të rejat nuk mungojnë as në jetën private të këngëtarit, një dashuri e re ka trokitur dhe ka rrëmbyer zemrën e tij.

Pas një shkëputje relativisht të gjatë nga muzika, mund të na tregoni si erdhi bashkëpunimi me “Urban Band”?

Pas pothuajse 5 vitesh pa një pjesëmarrje aktive në art, u riktheva fillimisht si solist në performancat ‘live’ e më pas gjithçka nisi në mënyrën më spontane të mundshme. Unë performoja me djemtë e “Urban Band” shpesh dhe kjo solli një alkimi mes nesh. Më pas kur ata patën largime nga band-i, biseduam për një bashkëpunim si një grup i vetëm, nën emrin “Urban Band”. Ishte një zgjedhje shumë e bukur.

 

Morët pjesë në edicionin e 61-të të “Festivalit të Këngës” me këngën “Në çdo hap”, shkoi çdo gjë sipas pritshmërive?

“Në çdo hap” ishte kënga e parë që unë realizova me band-in ndaj emocionet ishin shumë të mëdha. Besoj se emrat të cilët kanë realizuar këngën janë garanci që është një material shumë i mirë. Pritshmëritë tona ishin tejmase më të mëdha se realiteti. Mendoj se ky festival ishte një mungesë shumë e madhe respekti ndaj një grupi si “Urban Band” dhe një kënge që pas mban emra si, Eugent Bushpepa, Klodjan Rexhepaj dhe Kelly. Personalisht, po dhe në emër të grupit, besoj se gjithçka shkoi shumë ndryshe nga ajo që ne prisnim. E vetmja gjë që mundëm të parashikonim ishte përkrahja e fansave tanë, publikut dhe kolegëve.

 

Kanë kaluar rreth 3 muaj që kur njoftuat se jeni pjesë e “Urban Band”, si po ndiheni me anëtarët e grupit dhe si po shkon bashkëpunimi me ta?

Ndiej sikur kanë kaluar shumë më tepër.. Djemtë e “Urban Band” janë të gjithë profesionistë në atë që bëjnë dhe normalisht janë përpjekur të më ndihmojnë sa më shumë. Ata tashmë nuk janë thjesht kolegë ose pjesëtarë të një bande, por janë miq të pandashëm me të cilët kaloj një pjesë të madhe të kohës.

 

Rikthimi juaj në një band është tregues se pëlqeni më shumë të jeni vokalist i një grupi se sa një këngëtar solo?

Deri në këtë moment nuk e kisha menduar kurrë këtë gjë. Komplimenta për pyetjen. Të tregohem i sinqertë, unë besoj se jam pak i shpërndarë si karakter duke u angazhuar në shumë projekte njëkohësisht. E njoh veten si ‘multitasking’, por normalisht është shumë e vështirë të jesh 100% i fokusuar. Dhe fatmirësisht çunat e grupit kanë qenë shumë përkrahës dhe jemi të gjithë të bashkuar për një synim. Jemi shtysë për njëri-tjetrin. Ndoshta kjo më kishte munguar.

 

Cili është momenti më i bukur dhe më i vështirë gjatë rrugëtimit tuaj në muzikë?

Momente të vështira kam patur shumë. Nuk mund të vë pikën diku. Ndoshta ndarja nga grupi im i parë “Lynx”, ose ndoshta ndarja nga muzika për një kohë kaq të gjatë. Por duke u rritur momentet e vështira ndryshojnë dhe në kontekst. Momenti i fundit më i vështirë ishte të listoheshim si “New Artist” në “Festivalin e Këngës”. Ishte shumë e çuditshme të shihje emrat tanë të listuar me artistë që lançonin këngën e tyre të parë, për herë të parë, në një kompeticion. Normalisht shumë të talentuar.., por në këtë rast unë dhe “Urban Band” kemi 10 vjet që performojmë ‘live’ dhe pjesëmarrës e fitues çmimesh në festivalet më në emër në vend. Akoma nuk e kam kaluar këtë kafshatë. Ndërkohë si momentin më të bukur do të veçoja performancën në vendin tim të lindjes në Berat, kur për herë të parë në skenë u ngjit edhe djali im Liam. Kënduam së bashku një cover të “Impossible”. E kam të gdhendur në zemër atë moment.

 

Keni të reja edhe nga jeta juaj private, meqenëse jemi në muajin të dashuruarve mund të ndani me ne detaje nga historia juaj e re e dashurisë?

Çfarë mund të them? Kush dashuron e kupton. Klea është një person që nuk e do botën e showbizin. Nuk e ka dashur kurrë. Por është një ndër përkrahjet më të mëdha që kam në muzikë. Dhe ky është një faktor kyç. Po nuk pate përkrahjen e partnerit tënd për të bërë art gjithçka bëhet e vështirë. Ndihem me fat që kam gjetur një partnere, të cilën e kam dhe shoqen time më të mirë.

 

Cilat janë planet e afërta me Klean?

Ne nuk bëjmë plane. S’kemi bërë kurrë. Momentalisht jemi të fokusuar në të arriturit ‘target’ që kemi së bashku. Jemi shtysë shumë e madhe për njëri-tjetrin.

 

Jeni baba i një djali 6 vjeç, si është marrëdhënia juaj me të? Çfarë babai është Endriku?

Liam është dashuria më e madhe që kam në të gjithë universin. Është djali im, vëllai im dhe shoku im. Duhet ta pranoj që e llastoj pak. Unë me Liamin flasim çdo gjë së bashku. Jemi të dy tifozë në futboll. Ai më tepër për faktin që do të më përkrahë mua. Jemi ekip në shumë lojëra virtuale dhe kalojmë shumë kohë duke luajtur bashkë. Dua të jem baba sa më ideal për tim bir. Di të them që unë jam shumë me fat që kam një fëmijë si Liam.

 

Projektet e radhës muzikore me “Urban Band” cilat janë?

Projektet e radhës janë të mëdha. Kemi filluar punën për 3 materiale të reja. Gjithashtu kemi filluar punën për klipin e këngës “Në Çdo Hap”, pasi nuk do ta lëmë thjesht si një këngë pjesëmarrëse në Festival. Jemi të fokusuar të realizojmë gjithçka kemi planifikuar dhe nëse gjithçka shkon mirë, do të jetë një vit shumë i bukur për “Urban Band”.

 

Keni diçka që dëshironi t’ja thoni të gjithë atyre që e duan muzikën tuaj?

Po e nis nga ajo që dëgjon çdo gjë në lidhje me artin ku unë jam i përfshirë. Nga mami të cilën e dua shumë, e falënderoj për gjithçka. Gjithashtu një falënderim shkon për të gjithë përkrahësit e muzikës së “Urban Band”, të cilët na përkrahin në çdo performancë, ‘live’ apo në festivale. Jeni më të mirët. Përqafime.

*Botuar në BORDO (print) shkurt 2023

Tags:

home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF