KreuArt

Ekskluzive/ Elizaveta Biba: Helen Doron, më shumë se anglisht! 

Ekskluzive/ Elizaveta Biba: Helen Doron, më shumë se anglisht! 

Nga Ilda Lumani
Fotografia:Rei Ujkashi

Teksa, takon Elizaveta Biba nuk je ende e qartë  se çfarë  origjine ajo mund të  ketë . Shqipja e saj të vë mes hamendësimeve, por të  befason me rrjedhshmërinë  dhe elokuencën. Liza, është nga Moska, dhe prej 11 vitesh jeton në  Shqipëri. E martuar me një  shqiptar, ajo ndërtoi një  biznes që  ka në  qendër edukimin e gjuhës angleze që  në  muajt e parë  të  jetës së  njeriut. Është Helen Doron Englisht, një  metodë  e suksesshme në  38 vende të botës, dhe rezultatet e saj ajo i ka parë  jo vetëm tek nxënësit e qendrës, por edhe në  familjen e saj. Ndan me ne këtë  eksperiencë  të veçantë  e frymëzuese, që  është  bërë  tashmë  shumë  e njohur në  vendin tonë !

Elizaveta, prej sa vitesh jeni tashmë në Shqipëri, dhe si lindi ideja për të sjellë Helen Doron në Shqipëri?
Unë kam ardhur në Shqipëri para 11 viteve, e re, energjike dhe ambicioze. Asokohe, profili im profesional përfshinte përvojën me fëmijë të vegjël dhe adoleshentë, mësuese të gjuhës angleze dhe menaxhere e një qendre gjuhe në Moskë.
Në Shqipëri ishte kaq e dukshme që fëmijët rriteshin me shumë dashuri dhe përkujdesje jo vetëm nga prindërit por edhe nga familjarë të tjerë (gjyshërit, tezet, hallat, dajat dhe xhaxhallarët).
Por ajo çfarë mungonte ishte njohuria se si të rrisje potencialin dhe dijet e fëmijeve në vitet  e para të jetës së tyre.
Prandaj nisa kërkimet për metodën e të mësuarit në moshë të hershme dhe një model biznesi të sigurtë për të hapur biznesin tim në Shqipëri.
Helen Doron English përmbushte kriteret që unë po kërkoja, një metodë e të mësuarit të gjuhës angleze tek fëmijët e vegjël dhe në njëjtën kohën një model biznesi franchise me një emër të njohur ndërkombëtar.

Cilat janë të veçantat e kësaj metode, ndryshe nga shumë të tjera, që gjenden në Shqipëri?
Metoda Helen Doron English e ka gjenezën e vet para 35 viteve kur gjuhëtarja dhe edukatorja Helen Doron bëri një revolucion në të mësuarit e Anglishtes si një gjuhë e huaj për fëmijët e vegjël duke zhvilluar një metodë që imiton mënyrën në të cilën bebet mësojnë gjuhën amtare të tyre.
Sot metoda Helen Doron English, gjendet në 38 vende të botës dhe është e vetmja metodë që ofron kurse të gjuhës angleze duke filluar nga mosha e hershme 3 muaj deri në 19 vjeç.
Kjo metodë është e mirëstudiuar nga psikologë, linguistë dhe mësues si edhe mbështetet nga  shumë studime të cilat theksojnë rëndësinë e të mësuarit qysh në moshë të hershme.
Helen Doron English është një metodë holistike e cila përfshin të mësuarit me anë të të gjitha shqisave dhe shumë e pasur në programe të zhvilluara sipas grupmoshave të caktuara.
Me anë të kësaj metode ne zhvillojmë potencialin e fëmijëve të vegjël dhe ndërsa rriten, ata fitojnë dëshirën për të mësuar dhe mbartin vlera të rëndësishme për jetën.
Adoleshentët janë një tjetër grupmoshë e cila përfiton nga kjo metodë, njohuri, dije dhe mbi të gjitha fitojnë konfidencë ndërsa shprehen lirshëm dhe mendojnë në gjuhën angleze.
Ju jeni nënë vetë. Kur jua keni filluar kursin e Helen Doron fëmijëve tuaj?
Vajza e madhe, 7 vjeç, e ka nisur programin e anglishtes që në moshën 9 muaj dhe tani flet rrjedhshëm 4 gjuhë, dy prej te cilave 2 janë gjuhë në familje (mami ruse dhe babi shqiptar), anglisht në kurs Helen Doron English dhe Italisht në “Shkollën italiane”. Me eksperiencën e vajzës time, konfirmoj konkluzionet e shumë studimeve që fëmija nuk ka limit në të mësuarin e gjuhës së huaj nëse ka metodën e duhur dhe ti beson tek  potenciali I tij.
Vajza ime e vogël, 9 muajshe, do të nisë këtë muaj programin “Baby’s best Start” dhe mezi po pres të nisim së bashku këtë rrugëtim të bukur dhe kaq të veçantë.

Cila është mosha më e mirë për të nisur mësimin e anglishtes?
Duke marrë parasysh që jetojmë në një botë globale, ku anglishtja është gjuha lider në edukim dhe biznes, ne dëshirojmë që fëmija të rritet si fëmijë bilingual. Është shumë e rëndësishme që fëmija të zotërojë anglishten njësoj si gjuha mëmë. Dhe kjo nis që në moshë të hershme. Në qendrën tonë e fillojmë mësimin e gjuhës angleze që bebe me anë të muzikës, lojërave, kreativitetit dhe përdorimit të shqisave.
Theksi dhe melodia e gjuhës fitohen vetëm në moshë të hershme. Gjithashtu, me anë të metodës Helen Doron English, eksperienca e të mësuarit pozitiv, dashuria si dhe të menduarit e të shprehurit natyrshëm në anglisht është e garantuar për të gjithë jetën.

Përtej gjuhës angleze, qendra juaj është e fokusuar edhe tek iniciativat sociale. Nga ato çfarë keni bërë në të shkuarën, cila ka pasur më shumë impakt? Kë do të veçonit?
Një nga motot e Helen Doron English  është “More than English! Values for life” (Më shumë se Anglisht! Vlera për Jetën)
Ajo që duam të përcjellim tek fëmijët tanë është që përpos dijes dhe dashurisë për të, ata të mbartin vlera të rëndësishme për jetën për t’u bërë qytetarë më  të mirë të së nesërmes!
Në të gjitha materialet tona mësimore përcillet vazhdimisht dashuria për natyrën, kafshët, empatia për njerëzit, jeta e shëndetshme aktive, si të jemi të sjellshëm dhe të dashur me njëri-tjetrin, të zgjidhim bashkë problematika të ndryshme dhe të jemi cdo ditë “heronj” të vegjël me vepra të vogla por me dashuri të madhe, çdo vit Helen Doron English ka një fushatë e cila zhvillohet në të njëjtën kohë në 38 vende të botës.
Fushatat e kaluara kanë përcjellë dashurinë për librin si tek fushata e vitit 2018  “Young Heroes; Readers are Leaders” ku  bashkë me fëmijet promovuan leximin si një aktivitet komunitar në biblioteka të ndryshme të Tiranës dhe u finalizua me një shfaqje teatrale, të ardhurat e së cilës, shkuan për të blerë libra për t’ju dhuruar më pas, fëmijëve të shtruar në pavionin e talasemisë.
Ёshtë fantastike të shikosh  vetë fëmijët të përfshihen me zemër për një kauzë të cakuar dhe ti shikosh ata ndërsa preken rreth këtyre kauzave.
Një fushatë  tjetër ka qenë edhe ajo e  vitit 2019 “Young Heroes On the Move” ku promovohej jeta e shëndetshme, aktive, sporti, dhe ushqimi i shëndetshëm.
Kjo fushatë u ndërpre për shkak të pademisë, por gjithsesi gjetëm forma për të promovuar dhe vazhduar  këtë fushatë në formatin online.

Po këtë vit çfarë fushate keni menduar të bëni?
Këtë vit, fushata do të bazohet pikërisht tek të qënurit i sjellshëm dhe të ndikosh tek njerëzit përreth me mirësinë tënde!
Fushata quhet”Be kind! Pass it on” dhe përfshin një gamë të gjerë elementesh, nga gjeste të vogla si buzëqeshjet ndaj personave që nuk i njohim, deri në ato më të mëdha, shoqëruar me trajnime dhe këshilla nga specialistë të fushës, mësues, prindër, psikologë e punonjës socialë!
Ndërkohë, duke pasur parasysh se në çfarë përmasash gjendet i shtrirë fenomeni i Bullizimit në shoqërinë tonë, duke nisur nga qeliza më e vogël por bazë e shoqerisë dhe  më e rëndësishme, familja e duke vazhduar me shoqërinë apo institucionet e tjera sociale dhe edukative, ajo që do të vendosim në qendër të kësaj fushate është pikërisht fushata “Stop Bullizimit”. Kjo do të jetë një fushatë fantastike me një seri aktivitetesh, takimesh online dhe offline në bashkëpunim edhe me fëmijët e qendrës Helen Doron Vlorë dhe Helen Doron 21 Dhjetori në Tiranë. Gjithashtu, me anë të kësaj fushate duam të dalim përtej klasave tona dhe të arrijmë edhe tek prindërit që janë të parët që edukojnë fëmijët.

Çfarë do të veçonit nga Shqipëria dhe shqiptarët?
Përpos elementeve tashmë të njohura të Shqipërisë si një vend shumë i bukur, i ngrohtë, me tradita dhe me një mikpritje të jashtëzakonshme, unë do të veçoja dëshirën e madhe dhe etjen që kanë për dijen, arsimin dhe edukimin në përgjithësi. Mbi të gjitha, gjatë këtyre 11 viteve që kam jetuar këtu, kam parë një Shqipëri që ndryshon dhe zhvillohet vazhdimisht. Shoqëria po ndryshon dhe është i dukshëm fokusi i madh tek edukimi i fëmijëve, dëshira për të investuar në moshë të vogël si edhe etja për të përqafuar metoda dhe filozofi ndërkombëtare të edukimit.
Prindërit e sotëm kanë vizione dhe pritshmëri ndaj fëmijëve të tyre, ndryshe nga ato të 11 viteve më parë.

Cfarë këshille do të kishit për gratë të cilat dëshirojnë të investojnë në fushën e edukimit të hershëm dhe të mund të kenë biznesin e tyre sot?
Kam shumë besim tek  potenciali i grave të ditëve të sotme.
Ato janë me kurajoze dhe mendjehapur ndaj ideve të reja që ndoshta deri dje as nuk mund të përceptoheshin në shoqërinë tonë.
Shikoj një gatishmëri  dhe një etje për të mësuar dhe krijuar një ekperiencë të re.
Mos ndaloni të besoni tek vetja juaj edhe kur nuk keni diplomën e duhur! Përcaktoni  qartë aftësitë tuaja dhe shikoni mundësitë se ku mund t’i implementoni ato.
Dhe ato çfarë ju mungojnë, mund t’i gjeni në një model franchise e cila të jep modelin e sigurtë të një biznesi të suksesshëm, dhe suportin e vazhdueshëm.
Personalisht kur vendosa për të hapur një biznes në Shqipëri, kam parë që pavarësisht pasionit, eksperiencave të mia dhe aftësive menaxheriale, kisha shumë mungesa, të cilat i zgjidha duke u mbështetur në një model ndërkombëtar franchise tashmë i garantuar prej disa viteve, si ai Helen Doron English. Sot ndihem e plotësuar falë ekuilibrave që kam gjetur nga modeli i franchises duke i kushtuar kohën e duhur familjes time, duke ndikuar  tek  shoqëria e së nesërmes, përfshirë edhe fëmijët e mi dhe duke u realizuar nga ana profesionale në biznesin tim. A nuk është kjo çfarë dëshiron çdo grua në kohët e sotme?

 

Tags:

home art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF