KreuFashion

Flet instruktori i palestrës: Këshilla për të humbur dhe fituar peshë

Me ardhjen e stinës së verës të gjithë bëhemi më të ndërgjegjshëm për shëndetin dhe trupin tonë, nisur kjo edhe nga dëshira për t’u ndjerë mirë dhe dukur bukur.
Bledar Mesi, instruktor fitnesi prej vitesh, në një intervistë për Bordo.al ndan disa këshilla për të humbur dhe fituar peshë, si edhe tregon sa e rëndësishme është të kujdesemi vazhdimisht për trupin tonë.
Nga Sidorela Lepri
Në këtë periudhë zakonisht të gjitha palestrat “mbipopullohen”, duke marrë parasysh që jemi para stinës së verës dhe dëshira për t’u ndjerë mirë dhe dukur bukur është më e madhe. Çfarë kërkojnë shumica e frekuentesve të palestrës ku ju punoni në këtë kohë?
Shumica e njerëzve që frekuentojnë palestrën në këtë kohë duan janë femrat që duan të tonifikohen dhe të dobësohen, kurse meshkujt të formojnë muskuj që të duken sa më mirë në periudhën e plazhit, por realisht stërvitja duhet të jetë sistematike për të githë vitin, kjo për të pasur një trup të rregullt dhe të shendetshëm.
Ka më shumë njerëz që kërkojnë të humbasin peshë apo ka edhe nga ata që kërkojnë të fitojnë disa kilogramë?
Shumica e klientëve që frekuentojnë palestrën vijnë për t’u tonifikuar dhe për të rritur masën muskulare, por ka edhe nga ato që vijnë për t’u dobësuar. Të paktë janë ato që vijnë për t’u shëndoshur.
Duke marrë parasysh që ka më shumë njerëz mbipeshë sesa nënpeshë, ju çfarë rekomandoni? Disa këshilla për të humbur peshë më lehtë dhe në mënyrë të shëndetshme?
Për klientët që duan të humbasin peshë, është e këshillueshme të stërviten sistematikisht për një periudhë të gjatë 1 deri në dy vjet, kjo për arsye se gjatë kësaj periudhe të arrijnë edhe të tonifikohen dhe të formojnë linja ose trup të rregullt. Ato që duan të shëndoshen e kanë më të lehtë, por duhet të marrin kaloritë e duhura siç janë proteinat, karbohidratet dhe ymdyrnat, si edhe të bëjnë një jetë të shëndetshme si gjumi, ushqimi dhe stërvitja me pesha. Për ato që duan të dobësohen, ushqimi duhet të jetë i kujdesshëm dhe të mos abuzohet.
Mesatarisht, sa orë në ditë këshillohet stërvitja?
Në ditë është e këshillueshme që stërvitja maksimumi 1 orë e 30-40 minuta dhe minimumi 1 orë.
Po në javë?
Në javë duhet të stërvitemi 4 deri në 5 herë, me nga 1 orë e 15-30 minuta.
Thuhet se sekreti i një dietë të mirë është balancimi i palestrës me ushqimin. Mund të ndani me ne disa këshilla në këtë aspekt?
Po, është e vërtetë për një trup të shendetshëm duhet të kemi një stërvitje të balancuar me një dietë të rregullt, çka do të thotë ushqimi është parësor për një stërvitje të mirë. Duhet të ushqehemi 3 orë para stërvitjes dhe duhet të konsumojmë 3 deri në 4 vakte.
Duke qenë se ju jeni prej vitesh instruktor fitnesi, më shumë vrap dhe ushtrime në natyrë apo palestër?
Stërvitja në natyrë është më e mira, si vrapimet dhe ushtrimet, por edhe palestra ndikon për një performancë të mirë fizike.
Dhe së fundmi, përse është e rëndësishme të ushtrohemi vazhdimisht?
Të ushtrohesh vazhdimisht të bën mirë për shëndetin fizik dhe mendor. Dhe trupin, gjatë viteve do ta ndjeni më mirë, më pak ilaçe dhe më pak probleme me shëndetin, si dhe do keni një jetë më aktive.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF