Në Zyrih, Zvicër është vënë në skenë opera ‘Carmen’, regjisori i së cilës Andreas Homoki ja besoi rolet kryesore tenorit shqiptar Saimir Pirgu dhe mezzo-sopranos Marina Viotti. Prodhimi i ri i "Carmen" në Zyrih është një bashkëprodhim me Opera Comique në Paris ndërsa regjisori Homoki realizoi një përshtatje fantastike franceze, me shumë estetikë dhe pak rekuizita. Si kahera në interpretimet e tij, edhe për kritikën zvicerane Saimir Pirgu, në rolin e Don Jose ishte i shkëlqyer, ndërsa artisti shqiptar është cilësuar si tenor heroik. Siç do të shkruhej në gazetën më të madhe në vend NZZ, opera ‘Carmen’ është një kafshatë e madhe për çdo teatër në botë, por Pirgu realizoi në mënyrë shembullore rolin.
“Menjëherë më pas, një nga “njerëzit e çuditshëm” humbet në skenë, i veshur me një look casual dhe atlete të markës. Sigurisht që është Don José, tenori, i cili nuk e di se çfarë po ndodh me të. Saimir Pirgu e luan këtë shkëlqyeshëm”; shkruhet në prestigjozen zvicerane NZZ.
Gazetari i njohur Christian Berzins vlerësoi Saimir Pirgun si interpretuesin më të mirë të mbrëmjes dhe sipas Berzins, partnerja Marina Viotti e pati paksa të vështirë të ndiqte profesionalizmin dhe potencën e Pirgut.
Njëmbëdhjetë shfaqjet e kryeveprës së Bizetit "Carmen" janë pothuajse të shitura në teatrin e operës në Sechseläutenplatz, gjë që dëshmon edhe një herë se pse është një nga veprat më të interpretuara në botë.



















