Në 93-vjetorin e lindjes së gjeniut të letrave Dritëro Agolli, Bashkia e Tiranës ka çelur mjediset e “Shtëpisë Studio Agolli”, pjesë e strukturës muzeu vendor “Shtëpia Studio Kadare-Agolli”.
Muzeu kushtuar shkrimtarit Dritëro Agollit do të prezantojë një pjesë të historisë dhe kulturës materiale e shpirtërore, duke pasqyruar jetesën e shkrimtarit shumë të njohur për publikun, si brenda edhe jashtë vendit.
Elona Agolli, vajza e Dritëro Agollit, vlerësoi nismën dhe u shpreh se do të kishte shumë dëshirë që babai i saj të ishte në jetë dhe të shihte këtë nisëm.
“Do të doja shumë që im atë të ishte në jetë dhe ai të ishte udhërrëfyesi i këtij muzeu, të na lexonte librin e hapur të jetës së tij. Gjithsesi, unë kam shumë besim se secili vizitor i këtij muzeu do të ketë eksperienca të paharrueshme dhe të pazëvendësueshme me asgjë tjetër, pasi ky nuk është një muze i thjeshtë. Aty nuk kuptohet vetëm historia dhe biografia, epoka e jetuar nga shkrimtari, por aty ndjehet dhe fryma e tij. Sot uroj dhe përgëzoj Erionin, Kryetarin e Bashkisë, i cili ishte nismëtari i këtij projekti të bukur. Ai në asnjë çast nuk ndali së besuari në misionin e lartë të nismës, edukues për brezat në radhë të parë, por dhe pasurues të shpirtit dhe nxitës të përparimit dhe të civilizimit”, deklaroi Elona Agolli.
Kujtojmë që Dritëro Agolli ka lënë pas një krijimtari mjaft të gjerë me poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj, disa prej të cilave janë përkthyer në shumë gjuhë të botës.