KreuArt

Intervistë/ Oltsen Gripshi: Inteligjenca Artificiale rrezikon ekzistencën e qenies njerëzore!

Intervistë/ Oltsen Gripshi: Inteligjenca Artificiale rrezikon

Themeluesi dhe kuratori Oltsen Gripshi sjell për herë të parë në Durrës, artistët më të njohur nga 17 vende të ndryshme në eventin më të rëndësishëm të arteve pamore bashkëkohore.

Durrësi do të kthehet në busullën e arteve pamore botërore për dy muaj përmes evenimentit Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor, ku artistë të njohur do të mbushin pavijonet me krijimet e tyre, të cilat kanë në qendër një temë: “Inteligjenca artificiale: e ardhmja hibride”. Oltsen Gripshi, themelues dhe kurator i bienales, një ndër artistët më inovatorë shqiptarë të plejadës së fundit, ka zgjedhur një tematikë pikante, e cila me shumë gjasë, ka për të zbuluar një univers krijues të pazakontë. Gripshi pohon se Inteligjenca Artificiale, përpos faktit që synon ta shpjerë njerëzimin përpara, rrezikon thelbësisht ekzistencën e vetë qenies njerëzore, duke i dhënë mundësinë të panjohurës me të ardhmen hibride. Edicionit të parë të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit i janë bashkuar 17 kombe mes tyre: Kosova, Italia, Gjermania, Turqia, Finlanda, Suedia, Rumania, Zvicra, Maqedonia e Veriut, Kina, Tajvani, SHBA, Peru, etj. Bienalja do të mbahet nga data 5 tetor deri më 24 nëntor.

Si lindi ideja për të themeluar një aktivitet kaq të rëndësishëm, sikurse është një Bienale?

Themelimi i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit u mundësua nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkia Durrës, por nuk ishte i rastësishëm, pasi unë i kam kushtuar tërësinë time artit pamor. Rrugëtimin tim me pikturën e kam nisur herët në një moshë fare të vogël, që kur bëja ato “shkarravinat” e para, apo mund të them me bindje që kam lindur me të. Më pas studimet për pikturë në liceun artistik të Durrësit dhe sigurisht ato që formësuan intelektualin tek unë në lëmin e artit pamor bashkëkohor, ishin studimet universitare dhe pasuniversitare jashtë Shqipërisë të cilat u përmbyllën me mbrojtjen e doktoratës për historinë e artit shqiptar.

I gjithi ky rrugëtim ka ngjizur pak nga pak brenda meje dëshirën për të themeluar një bienale ndërkombëtare, kushtuar tërësisht artit bashkëkohor. Një bienale, e cila të mbajë emrin e qytetit më të vjetër në Shqipëri, Durrësit, aty ku edhe jetoj.

Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor të Durrësit është konceptuar si një organizim zhvillimor gjithëpërfshirës, duke e shndërruar Durrësin në skenën më të madhe dhe më të rëndësishme për ekspozimin e artit bashkëkohor në Shqipëri. Kjo, sepse largpamësia e BNABD-s është të sjellë në Durrës njëherë në çdo dy vite artistët më në zë, të rejat më të fundit, si në aspektin estetik ashtu edhe në atë antropo-fenomenologjik dhe gjurmën e të tashmes sonë nëpërmjet membranës interpretuese të artit bashkëkohor ndërkombëtar.

Tema e edicionit të parë të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit është “IA: e ardhmja hibride”; përse kjo zgjedhje?

Zgjedhja e temës “Inteligjenca artificiale: e ardhmja hibride”, është e mirëmenduar dhe e frymëzuar nga sistemi robotik i ChatGPT. Një sistem chatbot i bazuar në inteligjencën artificiale dhe në të nxënin në mënyrë automatike, i zhvilluar nga laboratori i kërkimeve OpenAI që në përballje me tinguj të ndryshëm të lëshuar nga qeniet njerëzore i tjetërson ato në imazhe. Ndaj nëpërmjet kësaj teme kaq të ndjeshme për njerëzimin sot, kam dashur të nxisë ndjeshmërinë krijuese të artistëve pjesëmarrës, për të shpërfaqur dhe spikatur vlerat më të mira artistike të së tashmes sonë nëpërmjet qasjes konceptuale dhe filozofike të artit bashkëkohor. Një reflektim mbi të tashmen teknologjike dhe sesi ky përparim i vrullshëm teknologjik ndikon në gjithëformimin dhe në gjithëbërjen e jetës së njeriut bashkëkohor.

Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor të Durrësit kërkon, jo vetëm të bëjë bashkë qasje filozofike, konceptuale, antropologjike, semiotike dhe artistë nga kombe të ndryshme, por mbi të gjitha kërkon të hulumtojë të padukshmen metafizike, atë që vetëm Inteligjenca Artificiale mund ta depërtojë e për rrjedhojë ta parashikojë, duke vendosur në teh të mëdyshjes të ardhmen hibride të njerëzimit.

Artistët janë pararoja e çdo zhvillimi shoqëror dhe sistemi politik e si të atillë ata me largpamësinë e tyre nuk mund të qëndrojnë të heshtur mënjanë, karshi këtij fenomeni që e shpien njerëzimin përpara: “Inteligjencën artificiale”, e cila njëkohësisht përpos gjithëpërfshirjes zhvillimore, rrezikon thelbësisht ekzistencën e vetë qenies njerëzore dhe gjallesave të tjera që popullojnë planetin Tokë, duke i dhënë mundësinë të panjohurës me të “ardhmen hibride”, për rikrijimin në zanafillë të një jete, të një përmase dhe të një ekzistence të re.

Kjo si për të thënë dhe për të dëshmuar nëpërmjet veprave të artit bashkëkohor shëmbëllimin e bashkëkohësinë tonë, në të cilën jetojmë dhe të paqenën që na pret për të ardhmen e pajetuar.

Intervistë/ Oltsen Gripshi: Inteligjenca Artificiale rrezikon

Cilët janë kombet pjesëmarrëse dhe si e kanë interpretuar artistët përfaqësues të Pavijoneve Kombëtare temën: “Inteligjenca artificiale: e ardhmja hibride”?

Në këtë edicion të parë të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit na janë bashkuar 17 kombe, duke filluar nga Lindja e Largët me Kinën dhe Tajvanin, për të kaluar më pas në anën tjetër të globit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Perun, Republikën Dominikane dhe Argjentinën, për të vijuar me Bregun e Fildishtë në kontinentin afrikan dhe për t’u rikthyer në kontinentin e vjetër, Evropa me artistë nga Shqipëria, Kosova, Italia, Gjermania, Turqia, Finlanda, Suedia, Rumania, Zvicra dhe Maqedonia e Veriut. Një pjesëmarrje e jashtëzakonshme përtej çdolloj pritshmërie.

Kjo, falë reputacionit ndërkombëtar që artistët përfaqësues të këtyre pavijoneve kombëtare kanë me krijimtarinë e tyre të ekspozuar në muzetë dhe galeritë më të njohura në botë. Interpretimi i temës së BNABD-s nga ana e artistëve pjesëmarrës ka bërë që qyteti i Durrësit, për dy muaj radhazi të zotërohet nga energjia e ngjyrave të pikturave mbi kanavacë, instalacioneve skulpturore monumentale të ekspozuara në sheshin qendror përballë bashkisë dhe teatrit, misterit të video-artit dhe surrealizmit të foto-instalacioneve të ekspozuara te Vila e Zogut, të gjitha të krijuara nëpërmjet teknologjisë së përparuar të inteligjencës artificiale.

Përpos interpretimit dhe qasjes së artistëve nëpërmjet estetikës artificiale, BNABD-ja shoqërohet në të gjithë kohëzgjatjen e saj me një program të pasur didaktik, ku janë të ftuar artistë, kuratorë, galeristë, muzeologë, historianë dhe kritikë arti, duke e shndërruar këtë të përdyvitshme (biennale) në një brand artistik, kulturor dhe turistik për qytetin e Durrësit.

 

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF