KreuArt

Blerta Kambo, the storytelling!

Blerta Kambo, the storytelling!

Fotografia për të është më shumë se një lojë mes kamerës, kompozimit, dritës apo hijes. Për Blerta Kambon, çdo shkrepje është një histori e treguar dhe ndjenjë e jetuar.  E sapokthyer nga ekspozita e saj më e fundit në Nju-Jork, artistja ndan me “Bordo” përjetimet dhe emocionet, teksa njohës të mirë të artit vlerësuan maksimalisht punën e fotografes së njohur nga Shqipëria.

Blerta Kambo, një ndër fotografet e para femra në Shqipëri…ka një nisje, shkëndijë ky pasion? Kur dhe si ndodhi?

Kontakti im i parë me aparatin ka qenë në periudhën e studimeve të larta për Inxhinieri Mjedisi, ku një ditë fotografova disa zona të ndotura. Pa e kuptuar, në çdo shkrepje ndjeja sesi po dashurohesha me fotografinë. Mu kthye gati-gati në fiksim. Doja të fotografja çdo gjë që lëvizte, apo që nuk lëvizte. Fotografia u kthye në formën më perfekte me anë të së cilës unë doja të shprehesha. Unë kam shkruar shumë prozë, por pasi njoha fotografinë, aparati u kthye në penën time për ‘rrëfimet’ që doja të bëjë përmes shkrepjeve. Kështu më pas u duk se pa kuptuar, më ftonin herë pas here të punoja si fotografe nëpër revista, evente apo punë të tjera komerciale dhe ky lloj arti u kthye për mua në profesion.

Sapo je kthyer nga një ekspozitë në Nju-Jork. Si shkoi?

Nju-Jork ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, si nga ana njerëzore, ashtu edhe artistike. Pata një ekspozitë të vogël, por që rezultoi të kthehej në e madhe falë një njeriu të jashtëzakonshëm, që është Fadil Berisha. Me siguri keni dëgjuar plot njerëz të flasin për Fadilin dhe unë jam një ndër syresh që flas me superlativa jo vetëm për artin e tij, por edhe për njeriun e jashtëzakonshëm që është. Është kaq zemërgjerë dhe i hapur, për t’u mahnitur dhe promovuar talente të çdo fushe! Ekspozita ime në Nju-Jork u quajt “Pranë një luleje” dhe kjo vjen nga historia ime me Fadilin. Në vitin 2016 i solla në USA një rrënjë të vogël, vetëm disa centimetra lule Shqiponje dhe sot ajo lule ndodhet në zyrën e tij, dhe është bërë 4 metra e gjatë. E quajmë atë lule si shenjë të miqësisë tonë (qesh). Në ekspozitë tregova serinë e “Man of the castle”, që u shfaq për disa ditë me radhë edhe në ambientet e kryeministrisë në Tiranë. U ndjeva vërtetë e vlerësuar, që në ekspozitë erdhën vërtetë shumë njerëz dhe vlerësuan artin tim.

Blerta Kambo, the storytelling!

Cilat ishin pritshmëritë?

Të jem e sinqertë, nuk është se kisha shumë pritshmëri. Por më duhet ta them që jam vërtetë e lumtur, që kjo eksperiencë tejkaloi çdo parashikim, që unë mund të kisha në kokën time. Nuk di t’jua përshkruaj ndjesinë kur shihja njerëz fare të panjohur për mua, që emocionoheshin para punëve të mia.

Si ndodh për një artist në raste kompetitive; ka ai pritshmëri apo thjesht shijon ndjesitë?

Më kujtohet një shprehje shumë interesante e një poeteje kanadeze, Margaret Atwood, e cila thoshte se kur ajo nisi të shkruajë në fillim kishte shumë njerëz rreth saj, teksa ‘vraponte’ artistikisht, shihte sesi ‘rrugës’ njerëzit pakësoheshin, derisa e gjeti veten në ‘finish line’ që ishte vetëm ajo…Kështu është pak a shumë, mënyra si e shoh dhe unë.

Duhet t’jua kenë bërë shumë pyetjen, si është të punosh me kryeministrin Edi Rama. Por unë doja të dija, cilat ishin reagimet e tij, kur i pëlqente një foto dhe kur nuk i pëlqente dhe aq një tjetër?

Kur Edi Ramës i pëlqente një foto e imja, e kuptoja edhe me vetëm një shikim reciprok që mund të kishim. Këtë lloj inkurajimi, unë e merrja me vete për ta ‘përdorur’ në punët e tjera, që do të pasonin në kryeministri. Duke qenë se edhe  Rama vetë është artist, ndihesha mirë që ma vlerësonte punën nga ana artistike. Për të vijuar me pjesën tjetër të pyetjes, kur Ramës nuk i pëlqente një punë e imja, sigurisht që nuk kishte asnjë reagim të çuditshëm, por thjesht nuk bënte asnjë koment dhe aty unë mund të kuptoja, që ndoshta një “x” punim nuk ishte aty ku duhet. Më shumë se kushdo tjetër rreth meje, unë kam qenë dhe jam kritikja më e madhe e vetes sime.

Blerta Kambo, the storytelling!

Thua që unë fotografoj ndjenjat, pra shumë më shumë se një lojë mes kamerës, dritës, hijes…Si e realizon nga ana psikologjike këtë proces, dua të them, të ndodh të thithësh edhe vetë nga ajo, çfarë fotografon?

Edhe pse është një përgjegjësi shumë e madhe, të thuash që unë fotografoj ndjenjat, unë vërtetë që dua t’i fotografoj ato. Ndjesia për mua ka shumë rëndësi, pasi ana konceptuale vlen më shumë se ana estetike, edhe pse të gjithë e dimë se idealja është që një punë e mirë duhet t’i ketë të dyja, por kjo jo gjithmonë arrihet. Por nuk do ta sakrifikoja anën konceptuale, për atë estetike. Mendoj se një foto të bukur vizualisht mund ta bëjë kushdo sot, edhe me anë të një telefoni.

E quan gjithashtu fotografinë ‘storytelling’…Cila është ‘historia’ më e bukur që ke treguar nëpërmjet një shkrepje?

Ne që kur nisim të ekzistojmë si qenie njerëzore, duam të tregojmë histori pranë zjarrit, pavarësisht zhanrit që mund të ketë një narracion. Fotografia për mua bën pikërisht këtë gjë, tregon histori dhe mund të të emocionojë, po njësoj sa fjala. Historia më e bukur që ‘kam treguar’ nëpërmjet një shkrepje, nuk ka ardhur ende, do të jem gjithmonë në kërkim të asaj historie…

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF