Nëse do të na kërkohej të tregonim cila është veshja më e zakonshme, por ama edhe më e dashur, nga e cila kushdo, qoftë njeriu më i pasur e deri tek personi më i varfër i botës, është tunduar ta veshë qoftë edhe një herë në jetë, përgjigjia do të ishte identike: t-shirt. Bluza e bardhë, e puthitur pas trupit, provokuese, seksi dhe rebele është veshja më e dashur dhe e kundërshtuar shpesh nga fanatikët, e cila ka udhëtuar përmes një rrugëtimi 100 vjeçar, derisa u konsiderua objekti kult i rinisë kudo nëpër botë.
Forma e saj është e thjeshtë, me material prej pambuku ose fijesh sintetike, pa asnjë buton, me mëngë të shkurtra, ose të gjata, sipas New York Times nisi të shfaqej zyrtarisht në vitin 1904 në një reklamë nga Cooper Underwear, një kompani veshjesh e specializuar për të brendshmet. Deri në fund të shekullit XIX, T-shirt klasik, konsiderohej një veshje e brendshme, ndaj do të ishte skandaloze të dilje me të në publik, madje në Kubë kishte ligje që i ndalonte punëtorët të punonin në diell me bluza të tilla.
Pika e kthesës ndodhi në vitin 1920, duke u sanksionuar nga shkrimtari Francis Scott Fitzgerald si një veshje për personazhet e tij në romanin “This Side of Paradise”, term i cili u përfshi në Fjalorin Anglisht të Oxfordit.
Forma e saj e vërtetë, që njohim edhe sot, në vitet 1940 u miratua si pjesë e uniformës së Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bluza me jakë të rrumbullakët, mëngë të shkurtra dhe prerje të drejtë e quajtur “T-shirt”, për shkak të formës në formë T-je, u shfaq për herë të parë në stërvitjet ushtarake të marinarëve dhe ushtarëve gjatë Luftës së Parë Botërore. Brenda pak kohësh, ajo u kthye në simbol i rebelimit dhe veshja kult e të rinjve. Pavarësisht se ishte e ndaluar që ushtarët ta nxirrnin bluzën sipër veshjes ose uniformës, shpesh ata që ishin paksa më rebelë dhe i pelqente të dilnin jashtë kornizave, shfaqeshin me t-shirtin e bardhë si një formë kundërshtimi.
Gazetarja Nancy Pepper shkruan “dollapët e miliona amerikanëve të rinj ishin plot me bluza, të cilat ata kishin filluar t’i personalizonin me arna dhe shirita të bërë në shtëpi. Djemtë i veshin ato për të sinjalizuar se janë të disponueshëm për lidhje dhe se qafa e zbuluar nënkupton – Eja më puth këtu!”.
Në vitet ’50 bluza në formë T-je nisi të konsolidohej duke u kthyer në një imazh të pa shmangshëm për botën e modës, ndaj për këtë shërbyen figura të njohura publike, të cilët u kthyen në shembuj të paevitueshëm. Bluza e bardhë nisi të bëhej më popullore përmes imazheve të kinemasë hollivudiane. Ikona si James Dean dhe Marlon Brando e vishnin atë me xhinse dhe xhaketë lëkure, duke e shndërruar atë në një veshje kulti. Ndaj edhe sot konsiderohet si një shenjë rebelimi kundër brezave të vjetër.
T-shirt që në fillimet saj ishte me mëngë të shkurtra, me jakë të rrumbullakët dhe totalisht e bardhë, derisa nisi të zëvendësohej me ngjyra të tjera, fillimisht nga të rinjtë amerikanë dhe më pas drejt Evropës. Në vitet ‘60 bluzat u bënë një mjet shprehës i mendimeve, duke u mbuluar me mesazhe të cilat vendoseshin në pjesën ballore ose të pasme të tyre. Si një kanavacë e zbrazët, T-shirti i bardhë transmetonte mesazhe nga kompanitë deri tek individët. Ku më të famshmet janë fytyra e Che Guevara, bluzat me emrat dhe pamjet e qyteteve, e deri tek mesazhet që stilistët transmetonin në çdo sezon.
Për shkak të komoditetit dhe prakticitetit ato u bënë pjesë e ekipeve të futbollit, duke ndryshuar masivisht ngjyrat, të cilat përshtateshin sipas simboleve të skuadrave sportive. Forma nisi të ndryshojë duke ofruar variantet e bluzës me jakë V, sidomos nën ndikimin modës Hip hop, ku masa dhe gjatësia u rritën dukshëm.
Kulmi i tyre arriti në vitet tetëdhjetë duke u shndërruar në një veshje e cila u kthye në një mjet komunikimi përmes frazave dhe mbishkrimeve zbukuruese, derisa u zëvendësua me slogane politike kudo nëpër botë. Kostoja e tyre e ulët dhe materiali u bënë të arritshme për çdo kategori. Kjo nxiti dizenjuesit të krijonin pafundësi dizenjosh. Nëse fillimisht sloganët shkruheshin vetë me dorë, më pas ato u kthyen në një busull orientimi për të gjithë stilistët. E veshur nga Madonna në vitin 1986 në xhirimet e videos “Papa Don’t Preach” me sloganin “Italianët e bëjnë më mire”, bluza hyri fuqishëm në historinë e modës. Nisi të shfaqej nëpër koreografi, por edhe e veshur brenda stilit klasik, shpesh e shoqëruar me simbole dhe shenja të dallueshme.
Tendencat e viteve 1990 e rikthyen fort si veshje për gratë, duke e ridimensionuar brenda 100 vitesh, si një veshje rebele e cila të bën të dukesh gjithmonë i ri dhe i freskët.
_____________
Botuar ne Revisten Bordo
Gusht – Shtator