KreuBordo Men

Arbër Çepani rrëfen eksperiencën e re në televizion

Është pjesë e mëngjeseve të çdo shqiptari, bashkë me kolegen e tij, Blerinën. Fjala është për Arbër Çepanin, fituesin e “Big Brother 1”, i cili mbahet mend nga të gjithë, jo vetëm se pse triumfoi, por sepse çmimin e fituar e vuri në dispozicion të personave në nevojë.

Tashmë ai ka marrë përsipër të drejtojë një emision në Televizionin Publik Shqiptar. Vendimin e mori pas eksperiencave të ndryshme në ekran, dhe në një intervistë për BORDO,  Arbri tregon detaje nga puna e tij e re, sa impenjative është dhe sa i përfshirë ndihet në një format mëngjesi.

Rrëfen edhe sa i dashuruar është, përse i pëlqejnë udhëtimet dhe motot që ndjek në jetë…

Vjen për herë të parë në rolin e moderatorit në një emision mëngjesi. Si ndihesh tashmë që je pjesë e shumë familjeve shqiptare?

Fakti që për vite me radhë kam qenë pjesë e televizionit në forma të ndryshme erdhi gati si natyrshëme dhe vazhdimi i qendrimit në të, por do të thoja që ishte një surprizë edhe për mua roli i moderatorit, sepse përgjithësisht isha mësuar në rolin e të intervistuarit.

Si të erdhi ftesa për të qenë pjesë e këtij formati?

Ishte një ftesë nga drejtori i ri i programacionit në Tvsh, z.Rezart Aga. Ashtu siç theksova ishte një impenjim që më ndryshoi shumë axhendën që kasha menduar për këtë vit, por kur njeh profesionalizmin dhe pasionin me të cilin punon Rezi dhe stafi i tij i ngushtë, do ishte një herezi mos të pranoja ofertën dhe të bëhesha pjesë e këtij grupi të ri energjik që mori përsipër rigjenerimin e televizionit publik. Dhe fakti që Tvsh është televizioni i çdo shqiptari e ndjeva edhe si një lloj detyrimi më shumë angazhimin aty.

Ndihesh pjesë e televizionit, je ambientuar me këtë medium?

Përtej problemeve të përditshme që mund të ketë ashtu si çdo punë tjetër, televizioni ka diçka magjike që të afron në shtëpinë e çdo shikuesi dhe kjo gjë nuk ka asnjë çmim për nga sadisfaksioni që të ofron.

Angazhimi në televizion, të ka privuar nga biznesi privat që ke?

Sigurisht që impenjimi në television të mban larg minimalisht fizikisht nga punët e përditshme që një biznes ka nevojë për përkujdesje, por nga ana tjetër edhe të ndihmon në lehtësira marketing sa i përket imazhit. Është një kompromis që unë guxova ta bëj dhe duhet të shoh në bilancin e fund-vitit nëse kam bërë zgjedhjen e duhur ose jo.

Paraditja në ekran është ndryshe nga paraditet e mëparshme?

Si fillim ka ndryshim rrënjësor që tek oraret. Paraditja që quaja dikur për mua sot është prag pasditeje. Përpara se të merrja përsipër të bëja moderatorin e “Mirëmëngjes Shqipëri” zgjohesha në orare shumë më njerëzore, ndërsa tani zgjimi në orën 6 pa 20 të mëngjesit është sigurisht një experience për t’u shënuar, sidomos për një dashamirës gjumi dhe dashnor të orëve të vona si puna ime.

Pas emisionit, si vazhdon dita jote?

Pas emisionit të përditshëm live vjen edhe pjesa tjetër shumë e rëndësishme prapa skenave ku është realizimi i programacionit për ditën në vijim. Këtu shkëmbejmë me autoren dhe kolegët gazetarë ide mbi temat, aktualitetin dhe të ftuarit e radhës që do të kemi të nesërmen. Më pas, e gjithë pjesa tjetër e ditës i dedikohet për aq sa mundem fizikisht, biznesit dhe dëshirës për të ofruar edhe aty një shërbim sa më cilësor, pa humbur ritmin e punës.

Arbër, herë pas here publikon në FB qëndrime politike. Ke menduar të bëhesh pjesë e saj?

Fatkeqsisht jo pa të drejtë sot kur flasin për politikën na vijnë ndërmend vetëm konotacione negative dhe kjo ka bërë që njerëzit që mund të japin realisht një kontribut pozitiv për vendin të tërhiqen dhe t’i lënë vendin në arenën politike servilëve të kryetarëve, të paaftëve në rastin më të mire dhe njerëzve me precedent penal në rastin më të keq dhe kështu me radhë. Për aq kohë sa ky system zgjedhor të diktohet nga partitë e mëdha dhe respektivisht nga krytarët e tyre që i kanë kthyer partite në çifligje, atëherë besoj se nuk kam as më të voglin dyshim që nuk dua të bëhem pjesë e kësaj skene të madhe teatrale të dirigjuar nga sulltanët në krye. Kur të ketë një frymë të re dhe mbi të gjitha një system të ri zgjedhor ku gjithësecili mund të shpalosi idetë e tij pa qenë nevoja të marrë një teser partie, atëherë pse jo të mos angazhohesha në një shërbim më të gjerë qytetar.

Ke qenë pjesë e Big Brother, tashmë ke edhe një emision tëndin… Do të provosh eksperienca të tjera në tv?

Nuk di të të them për këtë, por ajo që mund të them me siguri është që do mundohem që çdo punë që do marr përsipër, do ta bëj me përkushtim, passion dhe buzëqeshje mbi të gjitha, sepse po nuk pati argëtim në atë çka bëjmë nuk ka shpërblim financiar që të të bëj ta duash punën.

Çfarë vendi zë dashuria në jetën tënde? Dashuria është gjithçka. Nëqoftëse nuk dashurojmë punën, njerëzit që kemi afër, nëqoftëse nuk dashurojmë jetën, ushqimin, natyrën dhe çdo të mire që na ka dhuruar Zoti, atëherë do të thotë që nuk kemi filluar akoma të kuptojmë se çfarë do të thotë të jetosh vërtet dhe jo thjesht të marrësh frymë.

Të pëlqejnë udhëtimet?

Besoj se janë investimi më i mirë që njeri mund të bëjë për kulturën e tij, shëndetin e tij dhe mbi të gjitha duke udhëtuar kuptojmë se sa e madhe është bota në krahasim me problemet e vogla të paqëna që i krijojmë vetes në mënyrë artificial çdo ditë.

Moto që ndjek…

Ka aq shumë moto që mund të përmend që më kanë frymëzuar ndër vite sa nuk do dija kë të veçoja ndër to. Por nëse do përmblidhja në pak fjalë qasjen time ndaj jetës, është që gjithsecili nga ne duhet të besojë në ëndrra të mëdha, në ëndrra pozitive, në ëndrra që e bëjnë këtë botë më të mire nga sa e gjetëm dhe duhet të punojmë me passion dhe vullnet çdo ditë pa u tërhequr nga vështirësitë e momentit,derisa këto ëndrra të bëhen realitete të prekshme. Bota i përket atyre që guxojnë dhe që pavarsisht humbjeve kanë gjetur forcën të ringrihen dhe të kthehen në frymëzim për njërzimin.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF